Botë

Bllokada amerikane e naftës paralizon Kubën, shpërthen protesta, pa rrymë dhe transport publik

15.05.2026 15:08

Qindra qytetarë bllokuan rrugët e Havanës për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe thellimit të krizës....

Qindra qytetarë bllokuan rrugët e Havanës për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe thellimit të krizës. I gjithë qyteti është mbuluar nga errësira. Kubanët ankohen se jeta e përditshme është bërë shumë e vështirë për shkak të krizës në vend, embargos së naftës, mungesës së energjisë, ujit, mallrave dhe transportit. Mungesa e naftës ka paralizuar pothuajse plotësisht qytetin, duke shkaktuar bllokim të transportit publik dhe vështirësi të mëdha në lëvizjen e qytetarëve. Shumë prej tyre druhen se situata mund të shkaktojë edhe luftë civile.
 
“Do të doja të rikthehesha të aktroja dhe të punoja sërish në teatrot e Vedados. Është shumë e vështirë dhe tani për tani është e pamundur, sepse nuk kam mundësi të shkoj çdo ditë në prova. Nuk ka para të mjaftueshme, nuk ka autobusë, nuk ka transport, asgjë. Ndërkohë, kam gjetur mënyra të tjera për të siguruar jetesën, bëj shitje garazhi gjatë fundjavave dhe punoj këtu në komunitet.”, - deklaroi koreografi dhe regjisori, Huan Migel Mas.
 
“Si mendoni se po e përballoj problemin e ndërprerjeve të energjisë? Është e tmerrshme. Edhe ajo pak që kemi në fund prishet. Duhet të blesh vetëm atë që të duhet në moment, ndërsa unë jam pensioniste. E dini sa fitoj? Vetëm 6 dollarë.”, - tha banorja, Digna Pereira.
 
“Mendoj se gjendja do të përkeqësohet. Nëse mbetemi nën këtë qeveri, gjërat vetëm do të bëhen më keq për ne. Mund të shpërthej ndonjë konflikt.”, - tha banori, Jadal Piloto.
 
Autoritetet kubane thonë se bllokada amerikane ndaj furnizimeve me karburant ka shkaktuar një situatë serioze në sistemin energjetik. Ministri i Energjisë pranoi se shteti pothuajse ka mbetur pa naftë, dizel dhe mazut.
 
“Vendi ynë nuk ka marrë asnjë furnizim me karburant që nga dhjetori. Kjo është arsyeja kryesore për ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike. Kësaj i shtohet edhe gjendja teknike e termocentraleve tona.”, - u shpreh ministri i Energjisë dhe Minierave i Kubës, Visente de la O’Levi.
 
Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i vitit kanë kufizuar furnizimet me naftë drejt Kubës, ndërsa sanksionet u ashpërsuan edhe më shumë në janar. Që nga dhjetori, vetëm një tanker i madh rus ka dërguar naftë bruto në ishull.
 
FARIJE DAUTI BAKIU