Maqedoni
MPB dhe MASh koordinim për sigurinë në shkolla, Toshkovski: Shkollat nën mbikëqyrje policore
15.05.2026 15:19
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, siguron se shkollat nuk janë lënë vetëm përballë sfidave të sigurisë...

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, siguron se shkollat nuk janë lënë vetëm përballë sfidave të sigurisë. Sipas tij, MPB-ja dhe Ministria e Arsimit po koordinohen prej kohësh, ndërsa zyrtarët policorë së bashku me profesionistët e shkollave të mesme janë në terren me kontrolle dhe mbikëqyrje preventive, aktivitete që, siç theksoi ai, kanë nisur shumë para incidenteve të fundit.
“Atë që MPB-ja ndërmerr nga aspekti i parandalimit prindërit e dinë shumë mirë se zyrtarët policorë së bashku me personat profesionistë nga shkollat e mesme për një periudhë më të gjatë kohore edhe para ndodhjes së këtij incidenti që patëm janë në terren, kontrollojnë, kryejnë vëzhgime sipas kompetencave ligjore dhe kryejnë atë mbikëqyrje preventive të cilën duhet t'ua kushtojmë fëmijëve tanë.”, - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Për përfshirjen e mësimdhënësve në sigurinë shkollore, ministri tha se kjo është çështje e Ministrisë së Arsimit. Ai theksoi përkushtimin e MPB-së për modernizim dhe profesionalizim të policisë përmes teknologjisë bashkëkohore, kamerave të trupit dhe njësive mobile. Sa i përket agjencive private të sigurimit në shkolla, Toshkovski sqaroi se MPB kryen kontrolle gjatë regjistrimit, licencimit dhe pas ankesave eventuale.
“Një nga punët e MPB-së është të kryejë kontroll gjatë regjistrimit të agjencive, nëse i plotësojnë kushtet dhe jam i sigurt se ajo që është dashur të ndërmerret është ndërmarrë nga ana e MPB-së në pjesën e kontrollit të kompanive të caktuara. Se a kanë vepruar ato gjithmonë sipas të drejtave dhe detyrave që kanë apo nëse kanë plotësuar kushtet për marrjen e licencës, kjo është çështje tjetër. Ka situata të tilla, por sigurisht që MPB pas marrjes së informacioneve, qoftë përmes ankesave apo zërave të arritur, do të ndërmarrë atë që është në kompetencën tonë.”, - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Toshkovski, gjithashtu paralajmëroi se në të ardhmen do të pasojnë ndryshime ligjore, të cilat do të jenë më restriktive, sa i përket drejtimit të trotinetit elektrik, kurse paralajmëroi edhe dënime për motoristët që nuk respektojnë rregullat.
ERSAN PAJAZITI
