Maqedoni
Kuvend, Azizi u zgjodh kryetar i Komitetit për Bashkësitë
15.05.2026 15:27
Me 12 vota “për”, deputeti Adnan Azizi u zgjodh kryetar i Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive....

Me 12 vota “për”, deputeti Adnan Azizi u zgjodh kryetar i Komitetit për marrëdhënie mes bashkësive. Me ta marrë drejtimin e Komitetit, Azizi u zotua se Komiteti do të kontribuojë në ndërtimin e bashkëjetesës, harmonisë, mirëkuptimit dhe avancimin e të drejtave të bashkësive në vendin tonë.
“Kërkoj që të bashkëpunojmë gjatë periudhës së ardhshme dhe komiteti të shërbejë për debate kontruktive e jo si cirk, dramë që nxitin polemika, por gjithmonë në kërkim të vlerave të përbashkëta, bashkëpunimit, kohezionit dhe ndërtimit tonë të kapaciteteve si botë e qytetëruar që ndajnë institucione dhe vlerat e përbashkëta në një shtet ku jetojmë bashkërisht si qenie të vërteta njerëzore.”, - deklaroi kryetari i Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive, Adnan Azizi.
Opozita reagon për vonesë konstituimi të organit
Paraprakisht nga BDI u shprehën të revoltuar për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit me dy vite vonesë. Sipas tyre, kjo ndodhi kur pikërisht shqiptarët u ballafaquan me diskriminim, probleme të përdorimit të gjuhës shqipe dhe kur pati përplasje publike dhe politike institucionale, ndërkaq ky trup duhej të kishte dalë në ballë të këtyre sfidave.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe, komiteti që do të duhej të ishte adresa kryesore institucionale për këto çështje, praktikisht ky komitet nuk ekzistonte.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Dijana Toska.
“Marrëveshja e Ohrit ka bërë tentativë për mbrojtje nga majorizimi, votimi i dyfishtë është mu kjo dhe jo në emër të teknikave që duhet ta mbulojnë me proceduralitetin. MO-ja është detyrim kushtetues, detyrim ligjor, ne po ballafaqohemi me të arritura bazë nga ajo marrëveshje, ku gjuha shqipe po kontestohet në të gjitha anët, mund t’ju duket folklorike, por neve na duket se po i shërbeni të keqes.”, - u shpreh deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti.
Komiteti për Marrëdhënie mes Bashkësive buron nga Marrëveshja e Ohrit dhe për herë të parë është formuar në vitin 2003, ndërsa shërben si forum për dialog dhe diskutim mes bashkësive etnike. Komiteti është autorizues për vendosje në rast kontesti gjatë zbatimit të procedurës për votim në Kuvend për ligjet kur për to nevojitet shumicë votash. Komitetin e përbëjnë 19 anëtarë prej të cilëve nga shtatë anëtarë nga radhët e deputetëve maqedonas dhe shqiptarë dhe nga një anëtar nga deputetët turq, vlleh, romë, serbë dhe boshnjakë. Në rast se ndonjëra nga bashkësitë nuk ka deputetë, atëherë Avokati i Popullit në konsultim me përfaqësues relevant të atyre bashkësive i propozon anëtarët e tjerë të Komitetit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
