Maqedoni
Java e shëndetit të gruas, kontrollet e rregullta, kyçe për shëndetin
15.05.2026 15:39
Zbulimi me kohë i sëmundjes do të thotë shërim më i lehtë....

Zbulimi me kohë i sëmundjes do të thotë shërim më i lehtë. Ky ishte mesazhi kryesor i Asociacionit Maqedonas të Gjinekologëve dhe Obstetërve në shënimin e “Javës së Shëndetit të Gruas 2026”. Megjithatë, realiteti në terren mbetet shqetësues: shumica e grave kërkojnë ndihmë mjekësore vetëm kur gjendja e tyre rëndohet.
“Askush nuk mund t'i ndryshojë gjërat i vetëm. Më së lehti është të ndryshohen nëse kemi ndryshime në sistem. Ne gjatë gjithë kohës po mundohemi të lobojmë që rruga e grave, për shembull gjatë diagnostikimit të karcinomës të çfarëdo lloji qoftë, të jetë në një shirit më të shpejtë. Gjithashtu, qasja e pacienteve në çfarëdo gjendjeje qoftë, të jetë shumë më e lehtë, që të mund të arrijnë te specialisti ose subspecialisti përkatës në fushën e caktuar.”, - deklaroi kryetari i AMGjO-së, Gligor Tofoski.
“Zakonisht, pacientët e këtij lloji vijnë më së shumti pasi të ketë përfunduar periudha e tyre riprodhuese. Atëherë ose janë pak më të lirë t'i kushtojnë vëmendje shëndetit të tyre, ose ballafaqohen me dhimbje dhe detyrohen të paraqiten për kontroll. Sigurisht, edhe gjakderdhjet, sidomos janë pjesa më e madhe dhe arsyeja që ata të paraqiten, atëherë frika te ata është më e madhe.”, - theksoi gjinekologu, Ilir Shurdhani.
Elena Xhikova nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës vuri në dukje se numri i të porsalindurve shënon një ulje të konsiderueshme prej 30 për qind brenda dhjetë viteve.
"Në kushte kur shtimi natyror në shtet është në rënie të ndjeshme, rëndësi të veçantë ka edukimi dhe parandalimi te gratë në të gjitha fazat e jetës së tyre që nga vitet shkollore, kur duhet të mësojnë se si ta ruajnë shëndetin e tyre, e sidomos në periudhën riprodhuese dhe gjatë shtatzënisë, kur janë më të prekshme. Kontrollet e rregullta obstetrike gjatë shtatzënisë janë shumë të rëndësishme sepse mjekësia bashkëkohore ofron metoda të reja për parashikimin dhe parandalimin e komplikimeve të ndryshme.”, - u shpreh Elena Xhikova nga Klinika e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës.
Të pranishmit thanë se shëndeti i gruas është themeli i çdo shoqërie, shtëpie e familjeje, ndërsa të porsalindurit janë shpresa për një të nesërme të re në shtetin tonë.
BELINDA KOKA ADEMI
