Botë

Përfundon vizita e presidentit Tramp në Kinë, “Tajvani”, pikë e ndjeshme në raportet ShBA - Kinë

15.05.2026 15:55

Vizita e presidentit amerikan në Pekin përfundoi pas një takimi privat në rezidencën zyrtare të liderit kinez....

Vizita e presidentit amerikan në Pekin përfundoi pas një takimi privat në rezidencën zyrtare të liderit kinez. Shtëpia e Bardhë njoftoi se është marrë premtim që Kina nuk do t’i dërgojë Iranit pajisje ushtarake. Të dy palët u pajtuan që Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur dhe se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Teherani reagoi menjëherë, duke deklaruar se nuk heq dorë nga qëndrimet e tij dhe nuk do të tërhiqet përballë presioneve.
 
“Diskutuam për Iranin. Kemi qëndrime të ngjashme. Duam që kjo të përfundojë. Nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Duam që ngushtica të mbetet e hapur. Kjo duhet të përfundojë, sepse situata nuk është e mirë. Nuk mund të lejohet armë bërthamore.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Gjatë një serie takimesh u nënshkruan edhe marrëveshje tregtare. Sipas njoftimeve, Pekini u pajtua të blejë naftë nga ShBA-ja dhe të porosisë 200 avionë “Boeing”.
 
“Kjo vizitë është historike dhe shumë e rëndësishme. Kemi vendosur një marrëdhënie të re bilaterale, një marrëdhënie strategjike me stabilitet konstruktiv. Kjo mund të quhet një pikë kthese.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
 
Në kuadër të bisedimeve është vendosur që në shtator Xi të vizitojë ShBA-në.                        
 
“Të dy palët duhet të zbatojnë konsensusin e arritur nga liderët dhe të sjellin më shumë stabilitet në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si dhe në ekonominë globale.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme i Kinës, Guo Jiakun. 
 
Çështja e Tajvanit mbetet një nga temat më të ndjeshme. Xi Jinping ka theksuar më herët se ajo është çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ShBA - Kinë, ndërsa Uashingtoni konfirmon se politika e tij ndaj Tajvanit mbetet e pandryshuar.
 
“Do të ishte më mirë që Tajvani të vendoste vetë përmes një votimi ose referendumi. Do të ishte një gabim i madh të tentohej me forcë, sepse do të kishte pasoja globale.”, - u shpreh sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio.                                      
Delegacioni amerikan në Kinë përfshiu edhe drejtues të lartë të sektorit teknologjik. Pekini kërkon lehtësim të kufizimeve për eksportin e çipave të avancuar, ndërsa ShBA-ja kërkon që Kina të vazhdojë furnizimin me metale të rralla, të rëndësishme për industrinë automobilistike dhe atë ajrore amerikane.
 
FARIJE DAUTI BAKIU