Maqedoni
Kërçovë, promovohen disa projekte infrastrukturore
15.05.2026 16:35
Sot kryeministri Hristijan Mickoski vizitoi Kërçovën ku promovoi rikonstruimin e sallës sportive...

Sot kryeministri Hristijan Mickoski vizitoi Kërçovën ku promovoi rikonstruimin e sallës sportive, bulevardin e qytetit dhe rrugën lokale Osllome - Serbicë. Ai paralajmëroi edhe angazhimin e Qeverisë për ndërtimin e spitalit të Kërçovës dhe kanalizimin në fshatrat e Zajazit.
Pas inaugurimi të sallës së rinovuar sportive dhe rrugës “Marshall Tito” në Kërçovë, kryeministri Hristijan Mickoski promovoi rikonstruimin e rrugës Osllomej - Serbicë, projekte këto, të cilat i vlerësoi si të arritura që vijnë falë bashkëpunimit me administratën komunale të Kërçovës.
“Nga kjo që shihet mund të thuhet se kjo është një agjendë serioze dhe jam i bindur se këto projekte do të përfundojnë sa më shpejt. Edhe gjatë periudhës që vjen, qeveria jonë do të vazhdojë të mbështesë projektet zhvillimore në Komunën e Kërçovës.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve lidhur me projektet e paralajmëruara për spitalin e Kërçovës dhe kanalizimin në zonën e Zajazit, për të cilët tha se pas dështimit të qeverisjes së kaluar, qeveria aktuale punon seriozisht në realizimin konkret të këtyre dy projekteve jetike për banorët e kësaj ane.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandër Jovanovski, e falënderoi kryeministrin për mbështetjen gjatë periudhës së kaluar dhe njoftoi se Komuna e Kërçovës aktualisht punon në rikonstruimin e rrugëve lokale, në fshatrat Garanë, Greshnicë, Zajaz, Ivançishte, Enklloec dhe Vraneshnicë.
SHABAN DALIPI
