Raportet SHBA-Kinë varen nga Tajvani, SHBA pezullon vendimin për shitjen e armëve

16.05.2026 13:03

“Tajvani nuk duhet të shpallë pavarësi formale”, tha presidenti amerikan, Donald Trump...

“Tajvani nuk duhet të shpallë pavarësi formale”, tha presidenti amerikan, Donald Trump, disa orë pas takimit me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Nga Taipei erdhi një përgjigje e prerë se Tajvani është një shtet demokratik, sovran dhe i pavarur që nuk i nënshtrohet Kinës.

“Ky ka qenë gjithmonë problemi i tyre më i rëndësishëm. Nuk bëhet fjalë për pushtim. Ata thjesht nuk duan ta shohin këtë vend, do ta quajmë vend sepse askush nuk di si ta përkufizojë, por nuk duan ta shohin të pavarur. Me shumë gjasa do të bënin diçka mjaft të ashpër, e më pas do të përballeshin ashpër dhe do të ndodhnin gjëra të këqija.” – tha Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Trump deklaroi se vendimi i tij i ardhshëm për vazhdimin e shitjes së armëve Tajvanit është një mjet efektiv presioni ndaj Pekinit.

Për momentin, marrëveshja me vlerë miliarda dollarë mbetet pezull, edhe pse tashmë është miratuar nga Kongresi amerikan.

Kongresmenë nga të dyja partitë e mbështesin shitjen, pavarësisht hezitimit të presidentit amerikan.

“Duhet ta mbështesim Tajvanin. Nuk mendoj se duhet të bëjmë diçka që do ta dobësonte pozicionin mbrojtës të Tajvanit. Duhet ta forcojmë, jo ta dobësojmë. Është detyra jonë t’i mbrojmë dhe t’i mbështesim.” – u shpreh deputeti republikan, Brian Fitzpatrick.

“Mendoj se është e rëndësishme të sigurohemi që Tajvani të ketë gjithçka që i nevojitet për t’u mbrojtur dhe për të zhvilluar dialog e bisedime.” – deklaroi deputeti demokrat, Gregory Meeks.

Nga ana tjetër, Kina i kundërshton këto shitje armësh, pasi e konsideron Taivanin pjesë të pandashme të territorit të saj.

Në takimin me Trumpin, Pekini e bëri të qartë se marrdhënjet SHBA-Kinë, varen nga çështja e Tajvanit, pasi kjo është një nga pikat më të ndjeshme mes këtyre dy superfuqive. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)