Eurointegrimet, VMRO-DPMNE: Filipçe mbron interesat bullgare
VMRO-DPMNE dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë..

VMRO-DPMNE dhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë shkëmbyen akuza të reja për integrimin evropian, ndryshimet kushtetuese dhe çështjet kombëtare, duke rihapur debatin për Marrëveshja e Prespës, marrëdhëniet me Bullgarinë dhe reformat për Bashkimin Evropian.
VMRO-DPMNE e akuzoi kreun e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, se po vazhdon politikën e Zoran Zaevit dhe se është i gatshëm për lëshime të reja në lidhje me identitetin kombëtar dhe ndryshimet kushtetuese. Sipas VMRO-DPMNE-së, LDSM-ja pranon përdorimin e termit “veriomaqedonas” dhe ndjek politika në përputhje me kërkesat e Bullgaria.
“Filipçe dhe LDSM-ja janë në të njëjtën linjë me Bullgarinë. Qëndrimet e tyre janë të njëjta, kërkesat e tyre janë të njëjta. Filipçe, i shantazhuar, hesht dhe nuk përgjigjet se për çfarë është shantazhuar nga një grup politikanësh bullgarë. A është i përfshirë në këtë shantazh edhe Zoran Zaev? Filipçe duhet të kthjellohet dhe të mbrojë interesat maqedonase, e jo interesat bullgare. Maqedonia e Veriut duhet të marrë garanci të qarta se ndryshimet kushtetuese do të jenë kërkesa e fundit për hyrjen e vendit në Bashkimi Evropian. Maqedonia duhet të hyjë në BE si një shtet dinjitoz, krenar dhe i drejtë, e jo i përkulur, i turpëruar dhe i poshtëruar, siç ishte me hyrjen në NATO” – tha Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
LDSM: Pa ndryshime kushtetuese, s’ka progres në BE
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë u kundërpërgjigj se kryeministri Hristijan Mickoski dhe Qeveria nuk e kanë realizuar agjendën reformuese, ndonëse kishin premtuar se do t’i përmbushnin detyrimet edhe pa mbështetjen e opozitës.
Nga kjo parti thanë se pa ndryshime kushtetuese dhe përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, vendi nuk mund të përparojë në procesin e integrimit evropian.
“Një nga dhjetë pikat është Kodi Zgjedhor, për të cilin kryeministri Hristijan Mickoski tha se do të jetë temë në fund të qershorit. Prandaj, i bëjmë thirrje Mickoskit të mos kërkojë alibi për mosrealizimin e agjendës reformuese, por t’i zgjidhë pikat e mbetura deri më 1 qershor, siç ka premtuar, dhe t’i përfshijë pakicat në Kushtetutë për të vazhduar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Mjaft më me gënjeshtra dhe manipulime ndaj qytetarëve. Ashtu siç ka deklaruar se ka shumicë parlamentare dhe se këtë e ka dëshmuar disa herë, si dhe se reformat mund t’i përfundojnë vetë pa Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, atëherë le t’i përfundojnë reformat”. – thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Përplasjet politike mes VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë vijnë në një periudhë kur janë rikthyer në qendër të vëmendjes çështjet e reformave, ndryshimeve kushtetuese dhe vazhdimit të rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut. (Armend Murseli, TVM2)
