Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, KQZ tërheq shortin për renditjen në fletvotim
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.
Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në zgjedhjet e qershorit me numrin 116; Partia Demokratike e Kosovës, me numrin 125; Lidhja Demokratike e Kosovës, me numër 113; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, me numër 128 dhe Partia Socialdemokrate, me numër 129.
Sipas të dhënave të KQZ-së, për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës, në zgjedhjet e 7 qershorit, do të garojnë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë.
“116 është numri i fitores në zgjedhjet e 7 qershorit”, ka shkruar Vetëvendosje në Facebook, pas tërheqjes së shortit në KQZ.
Lidhja Demokratike e Kosovës e cila është renditur me numrin 113, në një postim në rrjetet sociale, e ka vlerësuar këtë si “numër të bashkimit, numër të ringritjes dhe numër të Republikës që beson sërish”. Ndërkaq, bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani në reagimin e saj ka ftuar për bashkim rreth politikës së afron njerëzit.
Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, pas shortit në KQZ, ka thënë se është koha që Kosovës t’i kthehet serioziteti, puna dhe besimi.
“125 - për të gjithë ata që ende besojnë se Kosova bëhet me urtësi, me punë e dinjitet; për ta kthyer vendin te serioziteti dhe besimi”, ka shkruar Hamza në Facebook.
Po sot, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e dizajnit dhe përmbajtjes së fletëvotimit për votimin me postë jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Fletëvotimi i miratuar do të përdoret vetëm për votimin me postë, i cili do të fillojë më 25 maj dhe do të përfundojë më 6 qershor 2026. (Armend Murseli, TVM2)
