Protesta studentore, VLEN: Pas pankartave, fshihet dora e BDI-së

16.05.2026 16:15

VLEN akuzon BDI-në se po përpiqet të shfrytëzojë studentët...

VLEN akuzon BDI-në se po përpiqet të shfrytëzojë studentët për ngritur kauza të stisura vetëm e vetëm për t’u kthyer në pushtet.

U bëjmë thirrje studentëve të mos lejojnë të përdoren si mish për top nga ish zyrtarë të BDI-së si: Bujar Osmani, Arbër Ademi, Blerim Bexheti, Fatmir Besimi e Talat Xhaferi.

“Pas 20 vjetësh pushtet mbi shpinën e shqiptarëve, me të njëjtët karrigaxhinj të përhershëm në krye, kjo parti i ka përveshur mëngët si e tërbuar pas pushtetit. Si hipokrite që është, bashkë me disa “studentë” të futur në lojën e saj të pistë politike, po përpiqet t’i përdorë pankartat studentore si karrem për rikthim në pushtet.”- thuhet në kumtesën e VLEN-it duke sqaruar se provimi i jurisprudencës asnjëherë nuk është dhënë në gjuhën shqipe dhe këtë e pranojnë edhe vetë eksponentët e BDI-së.

“Atëherë pse nuk e zgjidhën kur kishin gjithçka në dorë? Pse nuk e bënë kur kishin ministra, deputetë, kryeministër teknik, kryeparlamentar, drejtorë dhe pushtet absolut? Sepse nuk u interesonte. Sepse jetonin në një botë tjetër, në botën e luksit, hajnisë dhe agallëkut mbi kurrizin e shqiptarëve.” – pyesin nga VLEN.

Partneri shqiptar në qeveri zotohet se provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe shumë çështje tjera që BDI i ka lënë përgjysmë, do t’i zgjidh, siç e ka zgjidh, me ligj, çështjen e medresantëve.

ASH-Sela fton anëtarësinë në protestë

ASH e Ziadin Selës, nga ana tjetër, konsideron se kushtrimi studentor duhet të mbështetet, prandaj ka ftuar anëtarët, aktivistët dhe mbështetësit e saj që t’I bashkohen protestës.

“T'i japim mbështetje zërit studentor, një zë që historikisht ju ka prirë proceseve më të rëndësishme dhe arritjeve historike të popullit tonë.” – thuhet në kumtesën e ASH-së së Selës. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)