Investime në higjienën publike, 2.600 kosha dhe 40 kamionë për “Higjienën Komunale”
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski...

Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se Qyteti do të furnizohet me 2.600 kontejnerë të rinj dhe rreth 40 kamionë për “NP Higjiena Komunale - Shkup”.
Ai tha se është në fazën përfundimtare për zgjedhjen e operatorit për kontejnerët, me qëllim përmirësimin e pastërtisë në Shkup, veçanërisht në qendër të qytetit.
“Jemi tashmë në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së operatorit që duhet të sigurojë 2.600 kontejnerë të rinj për qytetin e Shkupit, të cilët në periudhën e ardhshme do t’i mbulojnë nevojat që nuk janë mbuluar prej vitesh, por edhe do ta ndryshojnë pamjen në pjesën qendrore të qytetit, ku siç e dini ka kontejnerë që nuk e kanë vendin aty. Shkupi është qytet ku jetojnë mbi 600.000 banorë, dhe kemi gjithashtu një numër të madh turistësh që vijnë. Është e shëmtuar pamja që e lëmë në këto mikro-lokacione ku janë vendosur kontejnerët”. – tha Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Për emërimin e Miro Kacarovit si drejtor i Sallës Universale, për të cilin pati reagime në opinionin publik, Gjorgjievski thotë se ai është vendosur si ushtrues detyre, sepse konkursi për zgjedhjen e drejtorit të ri kishte dështuar.
Sipas Gjerogjievskit brenda shtatë ditëve do të shpallet një konkurs i ri për zgjedhjen e drejtorit të Sallës Universale.
Gjorgjievski këto deklarata i bëri gjatë vizitës në punimet për bulevardin “Boris Trajkovski” nga Pintija deri në Draçevë, ku tha se pothuajse e gjithë traseja është hapur dhe punimet po zhvillohen me ritëm të përshpejtuar.
Bulevardi do të ketë katër korsi dhe shteg për biçikleta.
“Shpronësimi është zgjidhur dhe për dy javë është hapur pothuajse e gjithë traseja. Ato 850 metra nga trafostacioni në Pintija deri te rrethrrotullimi në Draçevë do të jenë e kaluar. Në këtë segment do të vendoset edhe kanalizimi atmosferik.” – u shpreh Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Zgjerimi i bulevardit “Boris Trajkovski” filloi në qershor të vitit 2021, në fund të mandatit të ish-kryetarit të Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Me ardhjen e Danela Arsovska, punimet u bllokuan, përkatësisht shpronësimi dhe hapja e trasesë u zhvilluan me dinamikë shumë të ngadaltë. (Armend Murseli, TVM2)
