Rusia me sulme të kombinuara ndaj Ukrainës
Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha...

Rusia ka ndërmarrë një nga sulmet më të mëdha të kombinuara ndaj Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke lëshuar qindra dronë dhe raketa drejt disa rajoneve të vendit. Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe rreth 60 të tjerë janë plagosur.
Sipas raportimeve, incidente dhe dëme janë shënuar në disa zona, përfshirë rajonin e Poltavës, ku dronët kanë goditur objekte civile, si dhe në rajonin Çernihiv, ku një fshat pranë kufirit është goditur dhe janë dëmtuar ndërtesa banimi.
Autoritetet lokale bëjnë të ditur se ekipet emergjente punojnë në terren për vlerësimin e dëmeve dhe ndihmën e banorëve të prekur.
“Gjatë sulmit të armikut janë dëmtuar 20 ekonomi familjare dhe një kopsht fëmijësh nën administrimin e Këshillit të Qytetit të Poltavës, si dhe një ndërtesë banimi. Departamenti i Mbrojtjes Civile, punonjësit socialë dhe përfaqësues të Këshillit të Qarkut të Kievit po punojnë në terren.” – tha Oleksandr Sorokovyi, zyrtarë i Mbrojtjes Civile në Poltavë.
“Goditja e parë theu dritaret dhe dëmtoi zyrën administrative dhe dyqanet. Goditja e dytë e shkatërroi plotësisht këtë shtëpi. E gjithë rruga ka mbetur pa energji elektrike. Shtëpia e një gjysheje është dëmtuar për herë të dytë. Dëmet janë të mëdha dhe po pritet ndihmë për riparime.” – deklaroi Kryetari i Butivkës – Çenihiv, Anatolii Pushenko.
Nga ana tjetër, Rusia shprehet se ka kryer me sukses operacionet ushtarake dhe se ka marrë nën kontroll disa pjesë të territorit të Ukrainës.
“Grupi Perëndimor i Forcave po zhvillon operacione aktive sulmuese në zonën e tij të përgjegjësisë përgjatë një fronti prej rreth 350 kilometrash. Njësitë e Ushtrisë së Gjashtë po avancojnë drejt perëndimit nga Kupjansk, në drejtim të Shevçenkov. Kutkivka është çliruar, ndërsa luftimet vazhdojnë në Shapkivkën e Madhe. Trupat përparojnë në drejtimet Bogoslivsk dhe Rubtsovsk.” – u shpreh Gjenerali i lartë i ushtrisë ruse, Valery Gerasimov.
Presidenti Volodymyr Zelenskyy i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta ndëshkojë Rusinë për sulmet. Donald Trump deklaroi se sulmet vdekjeprurëse mund të pengojnë përpjekjet për një zgjidhje paqësore të luftës në Ukraine. Ndërkohë, 36 shtete së bashku me Bashkimin Evropian janë zotuar për krijimin e një tribunali të posaçëm për ndjekjen e krimeve të luftës të kryera gjatë konfliktit Rusi-Ukrainë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
