Masat e reja kundër dhunës në shkolla, gjoba për prindërit dhe më shumë psikologë
Rritja e rasteve të dhunës mes bashkëmoshtarëve nëpër shkolla....

Rritja e rasteve të dhunës mes bashkëmoshtarëve nëpër shkolla ka vënë në lëvizje autoritetet arsimore. Përkundër procedurave ekzistuese, situata në terren po vlerësohet si e pandryshuar, duke detyruar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të kalojë në një fazë të re të reagimit, atë të sanksioneve ligjore.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, bën të ditur se tashmë po ndërhyhet në ligj për të vendosur masa ndëshkuese për prindërit, në rastet kur bisedat pedagogjike nuk japin rezultat.
“Nëse nuk japin efekt bisedat të cilat i bëjnë shërbimet profesionale të shkollave me fëmijën edhe me prindërit, do të shkojmë edhe me masën ndëshkuese, ku prindërit e fëmijës i cili shkakton dhunë ndaj një fëmije tjetër, do të duhet patjetër të paguajnë gjobë për problemin që ka shkaktuar fëmija i tyre” – tha Zv.Ministri i Arsimit, Driton Sulejmani.
Përveç gjobave, MASH ka identifikuar si problematikë edhe mungesën e kuadrit profesional. Sulejmani thekson se jo të gjitha shkollat kanë psikologë, andaj synohet punësimi i tyre si faktorë kyç në parandalimin e devijimeve të sjelljes.
Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se dhuna është një fenomen kompleks që buron nga shumë faktorë, duke filluar nga ambienti familjar e deri te ekspozimi i pakontrolluar në botën digjitale.
Psikologu Arbër Kadriu thotë se bullizmi dhe agresiviteti në rrjetet sociale po reflektohen direkt në ambientet shkollore.
"Faktorët kryesorë të kësaj problematike mund të jenë multifunksionalë... Një fëmijë duhet të ketë kujdes se çfarë sheh e çfarë dëgjon nga prindërit e tij. Ndërsa, sfida tjetër është qasja direkte në rrjetet sociale ku një i ri sheh tallje, ofendime, abuzon me fjalorin e tij dhe merr një energji negative që mund të përfundojë në fatalitet." – deklaroi psikologu, Arbër Kadriu.
Sipas Kadriut, zgjidhja qëndron te "trinomi" i përbashkët: Familja, Shoqëria dhe Institucionet. Vetëm përmes një angazhimi kolektiv, ku prindërit janë më prezentë dhe shkollat më të pajisura me profesionistë të shëndetit mendor, mund të minimizohen rastet e dhunës që po trondisin opinionin publik. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
