Filipçe shpall “Frontin për të vërtetën”, korrupsioni dhe drejtësia shtylla kryesore
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe...

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot e paralajmëroi “Frontin për të vërtetën dhe drejtësinë”, duke theksuar se në të marrin pjesë grupe të ndryshme shoqërore dhe subjekte politike, të bashkuara rreth vlerave për një Maqedoni Evropiane.
Ai tha se shtylla kryesore e programit është “zero tolerancë ndaj korrupsionit” dhe transparencë digjitale.
“Sot e shpall Frontin për të vërtetën dhe drejtësinë, të cilin e përbëjnë partitë opozitare, organizatat qytetare, organizatat joqeveritare, intelektualë të shquar, individë, aktivistë të pavarur, të rinj, të gjithë të bashkuar rreth vlerave për një Maqedoni Evropiane.” Kush është pjesë e këtij fronti do ta shpallim në faza, gradualisht. Unë, në emër të frontit, do t’i prezantoj idetë dhe parimet, si dhe shtyllat kryesore programore”. – tha Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe
Ai gjithashtu shpjegoi se disa nga pjesëmarrësit për momentin nuk do të bëhen publikë, për të shmangur presionet dhe për t’i mbrojtur ata nga fushata e zezë e VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i LSDM-së prezantoi edhe shtyllat kryesore të programit të Frontit të përbashkët.
“Programi ynë i përbashkët, Fronti për të vërtetën dhe drejtësinë, ka katër shtylla kryesore: së pari, tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe drejtësi evropiane. Së dyti, e ardhme për të rinjtë. Së treti, jetë dinjitoze për të gjithë dhe standard më i mirë jetese. Dhe së katërti, fshat i fortë dhe fermerë të fortë”. – deklaroi Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas Filipçes parashikohet bashkëpunim i zgjeruar me Prokurorinë Publike Evropiane për hetimin e korrupsionit të lartë. Do të krijohet një institucion i pavarur antikorrupsion dhe do të digjitalizohen plotësisht shërbimet dhe tenderët.
Gjithashtu, do të ketë deklarim elektronik të pasurisë dhe mbrojtje e shpërblim për sinjalizuesit e korrupsionit. (Armend Murseli, TVM2)
