Të hënën protesta e dytë në Shkup, studentët: Me shqipen s’ka kompromis
“Me gjuhën shqipe nuk ka kompromis” është qëndrimi i studentëve shqiptarë...

“Me gjuhën shqipe nuk ka kompromis” është qëndrimi i studentëve shqiptarë, të cilët të hënën do të protestojnë për herë të dytë, pasi kërkesa e tyre që provimi i jurisprudencës të mundësohet në gjuhën shqipe nuk është marrë parasysh nga ministri i drejtësisë.
Njëri nga organizatorët kryesor të protestës, Mevlan Ademi, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që t’u bashkohen studentëve, në mënyrë që protesta të jetë sa më në masë.
“Me gjuhën shqipe nuk ka kompromis dhe për këtë arsye të hënën në ora 16:30 do të mblidhemi para Urrës së Gurrit të gjithë së bashku. Ju bëj thirrje të gjithë shtresave të shoqërisë, të gjithë profesorëve, profesionistëve të na bashkohen, aktorëve politik, të jemi njëzëri së bashku. Gjuha jonë duhet të na bashkojë dhe jo të na ndajë, në fund të ditës të gjithë e kemi të njejtin hall. Kjo protestë duhet të jetë protestë mbarëkombëtare, për këtë arsye i ftojmë mbarëshqiptarët, bashkombasit tanë përtej kufive tanë të vijnë të bashkohen që zëri ynë të jetë sa më i qartë dhe sa më evropian”. – tha Mevlan Ademi, student.
Kërkesa e tyre për të mbajtur provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe ka ndarë skenën politike, ndërsa zëra kundërthënës ka edhe brenda pushteteve të ndryshme. Veç ministrit të drejtësisë, së fundi kundër doli edhe presidentja e republikës.
Ndërkaq, VLEN dhe zëv/kryeministri i parë janë zotuar se do ta zgjidhin këtë çështje me ligj. Studentët shpresojnë se ndasitë në institucione dhe në opinion do të tejkalohen dhe kjo cështje do të zgjidhet për gjithmonë.
“Ne shpresojmë që të zbatohet ligji për përdorimin e gjuhës në të gjitha instancat dhe të mos kemi më nevojën që të dalim më në protestë. Ne kemi hall këtu dhe e kemi këtë problematik dhe unë dua në Maqedoninë e Veriut të funksionojë dhe punoj edhe në gjuhën time amtare dhe këtë dua të ma mundësoj shteti se e kam një të drejtë të fituar dhe shpresoj që pas 18 majit të marrim një përgjigje positive por sa do jetë ajo nuk e dimë. Protesta do të jetë ende më e madhe, nga protesta e parë pamë që ne dimë të protestojmë në mënyrë paqësore, në mënyrë evropiane dhe dinjitoze”. – u shpreh Mevlan Ademi, student.
Fillimisht, protesta nisi si reagim ndaj një problemi teknik lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, por tashmë ajo është zgjeruar dhe zhvillohet për kërkesën që gjuha shqipe të përdoret në të gjitha institucionet.
Studentët shprehen të vendosur se, nëse kjo çështje nuk merr një epilog pozitiv, do të rikthehen sërish në rrugë dhe do të vazhdojnë protestat. (Armend Murseli, TVM2)
