Kongo dhe Uganda, shpërthen epidemi e ebolës, OBSH paralajmëron rrezik për përhapje rajonale
Epidemia e Ebolës ka shpërthyer në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Ugandë...

Epidemia e Ebolës ka shpërthyer në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Ugandë, duke shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin ndërkombëtar shëndetësor.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur situatën si “gjendje të jashtëzakonshme të shëndetit publik me rëndësi ndërkombëtare”.
Megjithatë, shprehen se për momentin nuk plotësohen kriteret për një emergjencë pandemike, ndonëse rreziku i përhapjes mbetet i lartë, veçanërisht për vendet që ndajnë kufij tokësorë me Kongon.
Në provincën Ituri janë regjistruar të paktën 80 vdekje të dyshuara, tetë raste të konfirmuara në laborator dhe gjithsej 246 raste të dyshuara.
“Njerëzit në komunitete thoshin se bëhej fjalë për magji ose gjëra të ngjashme. Tani, kur ekipet tona po gjurmojnë rastet, kuptojmë se personi i parë u sëmur në fund të prillit dhe vdiq më 24 prill në Bunia, ndërsa trupi u dërgua në zonën shëndetësore Mungvalu. Kthimi i këtij trupi në Mungvalu, një zonë minerare me popullsi të madhe, shkaktoi përshkallëzimin e epidemisë së Ebolës”. – tha Ministri i Shëndetësisë i Kongos, Samuel Roger Kamba Mulamba.
Në kryeqytetin e Ugandës, Kampala, janë konfirmuar dy raste te persona që kishin udhëtuar nga Kongo, ku njëri prej tyre ka vdekur.
“Kur dëgjova se ka Ebola, u frikësova. Mund ta imagjinoni çfarë është Ebola dhe pasojat e saj. Nuk është një sëmundje e thjeshtë, është vdekjeprurëse. Si qytetar i Ugandës jam vërtet i frikësuar dhe i shqetësuar”. – deklaroi një banor i Kampalës, Francis Anguzu.
Qendra Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve është në negociata me grupe të armatosura për të siguruar qasje humanitare në zonat e prekura nga epidemia.
“Ne jemi aty për të mbështetur popullsinë. E kemi bërë edhe më parë dhe kjo është qasja jonë. Nga ana jonë sigurohemi që të kemi të gjitha mjetet që mund të ofrojmë. Nga ana e tyre kërkojmë mirëkuptim që të na lejohet qasja për të ndihmuar njerëzit” – tha Kreu i Qendrës afrikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, Jean Kaseya.
Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të një personi të infektuar dhe mund të jetë vdekjeprurëse.
OBSH bën thirrje për izolim të menjëhershëm të rasteve të konfirmuara, gjurmim të kontakteve, forcim të kontrollit në institucionet shëndetësore dhe një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
