Vonesa me pagat në NPK, Kasami premton zgjidhje afatgjate
Punëtorët e NPK-së vazhdojnë të punojnë pa kushte elementare....

Punëtorët e NPK-së vazhdojnë të punojnë pa kushte elementare, me vonesa në paga dhe me muaj të tërë pa kontribute të paguara. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, premtoi edhe një herë se ky problem do të zgjidhet brenda këtij muaji, dhe sipas Kasamit kërkohet një zgjedhje aftagjet për të punsuarit në këtë ndermarrje.
“Ne jemi duke e rregulluar përfundimisht çështjen e kontributeve dhe pagave të Ndërmarrjes Komunale, në mënyrë që ta kthejmë në normalitet funksionimin e saj. Besoj se brenda këtij muaji punëtorët do t’i marrin pagat me kontribute dhe do të kompensohen të gjitha kontributet e vonuara. Më pas do të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate për këtë ndërmarrje.” – tha Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami pranoi se punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova” kanë rreth 15 muaj kontribute të papaguara dhe tre muaj paga të pambuluara. Kasami tha se gjysma e pagesës është kryer, dhe presin që nga disa invesitor të paguajn taksën komunale që do ta mbulonte pjesën tjetër te mbetur.
“Gjysma e shumës është paguar, ndërsa brenda këtij muaji presim pagesën e taksave komunale nga disa investitorë të tjerë, e cila do ta mbulojë edhe pjesën e mbetur, rreth 30 milionë denarë. Me këtë do të shlyhen përfundimisht të gjitha kontributet e prapambetura dhe do të lëshohet edhe paga e muajit shkurt. Më pas pagat dhe kontributet do të rregullohen muaj pas muaji.” – u shpreh Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Komuna e Tetovës nuk është hera e parë që ndan mjete financiare për NPK-në, për pagat dhe kontributet e të punësuarve. Megjithatë, ndërmarrja vazhdon të përballet me vështirësi në mbulimin e shpenzimeve. Udhëheqësit e saj thonë se pagesat e qytetarëve për shërbimet e ndërmarrjes mbeten shumë të ulëta.
Sipas tyre, qytetarët paguajnë vetëm 105 denarë për shërbimet, një shumë që konsiderohet e pamjaftueshme krahasuar me punën që kryhet në terren. (Visar Sadiku, TVM2)
