Botë

Trampi kërkon përgjigje të shpejtë nga Irani, Teherani thotë se bisedimet po vazhdojnë

18.05.2026 14:49

Presidenti Donald Tramp kërcënoi se “nuk do të mbetet asgjë nga Irani”...

Presidenti Donald Tramp kërcënoi se “nuk do të mbetet asgjë nga Irani”, nëse nuk pranon kërkesat amerikane dhe nuk arrin një armëpushim të përhershëm. Ndërkohë Teherani pretendon se shkëmbimet e propozimeve po vazhdojnë përmes ndërmjetësuesve pakistanezë duke mbrojtur kërkesat e tij, përfshirë zhbllokimin e pasurive të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e sanksioneve. Po ashtu, Teherani kërkon dëmshpërblim për dëmet e luftës, duke e cilësuar konfliktin “të paligjshëm dhe të pabazuar”. Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare të Iranit njoftoi edhe krijimin e një entiteti të ri për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit. 
 
“Procesi i bisedimeve është në rrjedhë e sipër dhe nuk është ngjarje e njëanshme. Pasi e prezantuam planin tonë 14 pikësh pala amerikane ka shprehur shqetësimet e saja dhe ne i kemi ndarë qëndrimet tona javën e kaluar. Edhe pas paralajmërimeve se përfaqësuesit amerikanë e kanë refuzuar planin, nga ata kemi marrë korrigjime nëpërmjet ndërmjetësit pakistanez. Siç njoftuam dje, shqetësimet tona i janë dërguar palës amerikane, prandaj procesi vazhdon nëpërmjet ndërmjetësit pakistanez.”, - deklaroi  zëdhënësi i MPJ-së në Iran, Esmail Bagnei.
 
ShBA-ja deri më tani ka refuzuar lirimin e ndonjë pjese të pasurive iraniane dhe ka paralajmëruar se do të ndalojë armiqësitë vetëm kur Irani të hyjë në negociata formale paqeje. Senatori amerikan Graham është pesimist se me regjimin aktual iranian mund të arrihet marrëveshje.  
 
“Mendoj se nuk mund të merrni një përgjigje të saktë nga Irani, sepse ata nuk mund të jenë të saktë. Mendoj se tani janë kaq të çrregullt, të dobësuar. Pajtohen me disa gjëra, e të nesërmen tërhiqen. Presidenti Tramp është shumë i frustruar. Pra, çfarë duhet bërë më pas? Mendoj se do të jetë shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje me regjimin aktual.”, - theksoi senatori republikan,  Lindsi Graham.
 
Ndërkohë, Izraeli ka rritur gatishmërinë ushtarake për shkak të frikës nga një përshkallëzim i ri me Iranin dhe është i gatshëm t’u bashkohet sulmeve të mundshme amerikane, raportojnë mediat izraelite.
 
BE kërkon lundrim të lirë në Ngushticën e Hormuzit
 
Nga ana tjetër, BE-ja kërkon nga Kina që të shfrytëzojë ndikimin që ka ndaj Iranit, për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, e cila vazhdon të mbetet e mbyllur. 
 
“Po përpiqemi t’i bindim të gjithë faktorët se liria e lundrimit patjetër të respektohet, pasi shohim se edhe ngushtica tjera mund të shfrytëzohen si armë në mënyrë të ngjashme. Kjo nuk është në interes të askujt në botë.”, - u shpreh komisionarja për Zgjerim e BE-së, Kaja Kallas.
 
Ministrat e Financave të G7: Lirimi i rezervave uli çmimin e naftës
 
Konflikti në Lindjen e Mesme dhe ndikimi në ekonominë globale është diskutuar edhe nga ministrat e Financave të vendeve të G7-ës në takimin në Paris. 
 
“Në mars vendosëm në G7 në mënyrë multilaterale të lirojmë rezervat strategjike të naftës, që aso kohe i kufizoi spekulimet dhe e uli çmimin e naftës. Nëse kjo duhet bërë edhe në muajt e ardhshëm, do ta bëjmë përsëri.”, - theksoi ministri i Financave i Francës, Rolan Leskir.
 
Derisa Ngushtica e Hormuzit vazhdon të mbetet e bllokuar, vendet e Gjirit Persik mbeten në gjendje emergjente. Izraeli konfirmoi se ka eliminuar një komandant të Hamasit, ndërsa është rënë dakord të zgjatet armëpushimi edhe për 45 ditë.
 
FITORE NAGAVCI