Ambasada e parë e fëmijëve “Megjashi”, rritet numri i të rinjve që kërkojnë ndihmë
Gjithsej 38 fëmijë dhe të rinj telefonuan në linjën SOS "Megjashi"...

Gjithsej 38 fëmijë dhe të rinj telefonuan në linjën SOS "Megjashi" në vitin 2025 për të raportuar frikë dhe pasiguri, si dhe mendime vetëvrasëse dhe tentativë për vetëvrasje. Në këto dy kategori u regjistruan 19 raste, pra fëmijë që ishin të prekur drejtpërdrejt nga këto gjendje, thuhet në raportin vjetor të "Megjashit".
“Në vitin 2025 u vu re një rritje e ndjeshme e numrit të fëmijëve dhe të rinjve që raportuan mendime vetëvrasëse ose tentuan vetëvrasje, duke treguar nevojën për mbështetje urgjente dhe të vazhdueshme. Në vendin e tretë, për sa i përket prevalencës, janë çrregullimet e humorit me 13 raste të regjistruara. Kjo nxjerr në pah më tej barrën psikologjike me të cilën përballen fëmijët dhe të rinjtë, si dhe nevojën për mbështetje sistemike dhe masa parandaluese që synojnë përmirësimin e shëndetit të tyre mendor. Po ashtu janë regjistruar 8 raste që janë paraqitur për shkak të bullizmit në shkolla që paraqesin rrezik serioz në shëndetin mendor të fëmijëve.”, - thanë nga “Megjashi”.
“Vitin e kaluar, 284 fëmijë dhe të rinj janë paraqitur në linjën tonë telefonike. Këto nuk janë vetëm numra, por janë 284 momente që këta fëmijë janë ndjerë se nuk munden të ballafaqohen vetë. Pra 83 fëmijë dhe të rinj u ankuan për një gjendje që lidhej me shëndetin mendor. Çdo i treti fëmijë që është paraqitur lufton me një dhimbje që e mban në vete, lufton me frikë, shqetësim, etj.”, - theksoi Jordanka Trajkovska nga “Megjashi”.
Në 28 raste, Ambasada e fëmijëve “Megjashi” ndërhyri drejtpërdrejt, më shpesh në situata emergjente. Në 19 raste, pati referim tek autoritetet kompetente të zbatimit të ligjit dhe në 16 raste tek institucionet e mbrojtjes së fëmijëve.
Në 13 raste, fëmijët u referuan tek punonjësit shëndetësorë, në 6 raste tek këshilltarët shkollorë dhe në 3 raste u ndërmorën aktivitete të tjera. (Vlora Topojani, TVM2)
