Botë
Përhapja e Ebolës në Kongo, OBSh-ja shpalli gjendje të jashtëzakonshme
18.05.2026 15:15
OBSh-ja shpalli gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore ndërkombëtare...

OBSh-ja shpalli gjendje të jashtëzakonshme shëndetësore ndërkombëtare për shkak të përhapjes së re të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Uganda, duke paralajmëruar se varianti i rrallë Bundibuxhio i virusit mund të jetë përhapur prej javësh pa u zbuluar dhe se aktualisht nuk ekziston asnjë vaksinë e miratuar apo trajtim specifik për këtë variant. Sipas të dhënave të Qendrave Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, në provincën Ituri Province në Kongo janë regjistruar tetë raste të konfirmuara, 336 infeksione të dyshuara dhe 87 vdekje të dyshuara. Në Ugandë janë konfirmuar dy raste në Kampala, njëri prej të cilëve përfundoi me vdekje, ndërsa të infektuarit kishin udhëtuar më parë nga Kongoja. Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Gebrejesus, deklaroi se situata është “një ngjarje e jashtëzakonshme”, veçanërisht për shkak se bëhet fjalë për një variant të rrallë të Ebolës.
“Së pari do ta mbrojmë popullsinë në rajonin që ne administrojmë dhe u kërkojmë qytetarëve të vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme. Misioni ynë është të menaxhojmë mirë komunikimin dhe të informojmë popullsinë tonë, të rrisim ndërgjegjësimin e tyre, t’u japim masa parandaluese dhe masa mbrojtëse, praktikat që duhet të respektohen, e më pas do të kujdesemi për të gjitha rastet e dyshuara dhe rastet që tashmë janë konfirmuar.”, - deklaroi sekretari i përhershëm i M23, Benjamin Mbonimpa.
Pothuajse 7 ton materiale mjekësore, 35 ekspertë mjekësorë arritën për ndihmë në Kongo.
“Masat që duhet t’i ndjekin njerëzit që të luftojmë këtë sëmundje apo virus janë larja rregullisht e duarve, përshëndetja pa ia dhënë dorën apo pa përqafime, ikja e manifestimeve apo mbledhjeve e më shumë njerëzve në ambiente të mbyllura, para së gjithash prekje të njerëzve të vdekur. Të vdekurit mund të merren nga personeli mjekësor dhe të zhvillojnë varrim të sigurt të tyre.”, - tha një infermier.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se është e mundur një përhapje e gjerë dhe e pakontrolluar e virusit në komunitet, pasi rasti i parë u zbulua vetëm katër javë pas shfaqjes së simptomave. Shqetësim shtesë paraqet fakti se të paktën katër punonjës shëndetësorë kanë vdekur në rrethana që tregojnë për ethe hemorragjike virale, gjë që ngre dyshime për transmetimin e infeksionit edhe në spitale dhe klinika. OBSh-ja dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u bënë thirrje shteteve fqinje të mos vendosin mbyllje kufijsh apo kufizime tregtare, duke vlerësuar se masa të tilla nuk janë efektive dhe mund të shkaktojnë lëvizje të pakontrolluara përmes kalimeve jozyrtare. Në vend të kësaj, ato rekomandojnë forcimin e mbikëqyrjes, testimit dhe masave për kontrollin e infeksionit.
FITORE NAGAVCI
