Jurisprudenca në gjuhën shqipe, Mickoski takon Bilallin dhe Mexhitin
Në ditën kur studentët mbajnë protestën e dytë...

Në ditën kur studentët mbajnë protestën e dytë me radhë me kërkesë për dhënien e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, nga Qeveria informojnë se institucionet po punojnë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Kjo komunikatë vjen pas takimit të kreut të Qeverisë, Mickoski, me bashkëkryetarët e VLEN-it, Kasami dhe Mexhiti.
“U theksua se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët, të matur dhe dinjitoze mund të arrihen zgjidhje që do të nënkuptojnë progres, besim të ndërsjellë dhe rrugëtim të përbashkët drejt ardhmërisë. Bashkëbiseduesit u pajtuan se arsimi dhe dija përfaqësojnë themelin e çdo shteti bashkëkohor dhe të suksesshëm. Prandaj, institucionet punojnë në mënyrë aktive në gjetjen e zgjidhjeve që do të jenë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, me qëllim sigurimin e sigurisë juridike dhe funksionalitetit.”, - thuhet në komunikatën e Qeverisë.
VLEN: Zgjidhja do të jetë e plotë dhe afatgjate
Edhe nga VLEN-i konfirmojnë takimin e zyrtarëve politikë për çështjen e zbatimit të gjuhëve.
Provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, pohojnë nga VLEN-i, duke akuzuar BDI-në për neglizhencë dy dekadëshe për çështjet dhe të drejtat e shqiptarëve.
“Vetëm një ditë pasi bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, paralajmëruan lajme të mira lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, sot ata menjëherë u angazhuan në takim pune me kryeministrin Hristijan Mickoski për të avancuar zgjidhjen konkrete të këtij problemi shumëvjeçar. Në takim u diskutua për përdorimin e gjuhëve gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, me fokus të qartë që zgjidhja të jetë e plotë, funksionale dhe në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. VLEN-i po vepron me përgjegjësi dhe seriozitet institucional për të garantuar të drejtat e shqiptarëve në praktikë.”, thanë nga VLEN.
Ajdari: Po dështohet në çështjet shqiptare
Rreth kërkesës së studentëve, BDI dhe VLEN u përplasën edhe në Kuvend.
“Zëvendëskryeministër, dështuat edhe për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Nuk e mbroni gjuhën shqipe në asnjë institucion, në asnjë nivel. U zotuat publikisht për zgjidhje të shpejtë të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, në praktikë Ministria e Drejtësisë e refuzoi këtë të drejtë dhe shpërfilli urdhrat e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, duke e reduktuar atë në një test gjuhësor.”, - theksoi deputetja e BDI-së, Rina Ajdari.
Sali: Kërkesa e studentëve do të marrë jetë
“Për herë të parë ekzekutivi qendror ka dëgjuar zërin e studentit dhe i ka përveshur krahët që ta zgjidhë problemin e tyre njëherë e përgjithmonë. E kam thënë këtu, prapë do ta them, derisa ju të bindeni se do të jetë kështu. Provimi i jurisprudencës dhe provimet tjera, të cilat kanë të bëjnë me natyrën e provimit të jurisprudencës, në të ardhmen do të jepen një gjuhën shqipe. Kjo është e vërtetuar dhe do ta dëshmojmë shumë shpejt.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
Sipas subjektit politik shqiptar në pushtet, zgjidhjet nuk do të jenë gjysmake, por të plota, të zbatueshme dhe afatgjata, në interes të studentëve dhe të gjithë qytetarëve. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
