Maqedoni

Politikë, Integrimi përplasi VMRO-DPMNE-në dhe LSDM-në

18.05.2026 15:28

VMRO-DPMNE dhe LSDM vazhdojnë me shkëmbimin e akuzave lidhur me integrimin evropian...

VMRO-DPMNE dhe LSDM vazhdojnë me shkëmbimin e akuzave lidhur me integrimin evropian, ndryshimet kushtetuese dhe raportet me Bullgarinë. Nga njëra anë, përfaqësues të VMRO-DPMNE-së e akuzojnë liderin e LSDM-së, Venko Filipçe, për politika, që sipas tyre, dëmtojnë interesat kombëtare maqedonase dhe favorizojnë Bullgarinë. Ata pretendojnë se Filipçe është i gatshëm të pranojë ndryshime kushtetuese që do të mundësonin përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, duke e paraqitur këtë si rrezik për identitetin maqedonas. Filipçe, sipas tyre, për të shpëtuar karrierën e tij dhe për të dëshmuar se është gati për gjithçka për të ardhur në pushtet, festoi fitoren e e Bullgarisë në Eurovision.
 
“Filipçe, anti-maqedonasi i parë, me krenari dhe kokën lart nuk i dënon fyerjet e autoriteteve bullgare, sepse për të ato komente janë krenari dhe sukses. Edhe pse nga Sofja thuhet qartë se ndryshimet kushtetuese nuk janë kërkesa e fundit, Filipçe do t’i fuste bullgarët në Kushtetutë që nesër, që më pas të mund të na bllokojnë përsëri. Filipçe, anti-maqedonasi i parë, do të bëjë gjithçka për t’i bërë dëm shtetit të tij, sepse është i shantazhuar nga një grup politikanësh bullgarë, për shkak të krimeve që ka bërë me Zoran Zaevin.”, - deklaroi Valentin Manasievski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga ana tjetër, LSDM-ja kritikon kryeministrin Hristijan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në për, siç thonë ata, bllokim të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas LSDM-së, pa ndryshime kushtetuese dhe përfshirjen e pakicave në Kushtetutë, vendi nuk mund të vazhdojë negociatat me BE-në. Ata gjithashtu akuzojnë Qeverinë se nuk po i realizon reformat e premtuara.
 
"Çështja e pakicave nuk është çështje e bullgarëve, siç e paraqesin Mickoski dhe banda e tij, por e të gjitha pakicave, përfshirë kroatët. Vetë Mickoski pretendonte se ka shumicë absolute. Vetë thoshte se reformat do t’i zbatojë pa LSDM-në, se Kodi Zgjedhor deri më 1 qershor do të përfundonte. Vetë e hoqi Qeverinë Teknike pa konsensus. Tani le të mos kërkojë alibi nga LSDM-ja. Le t’i përfundojë reformat që i premtoi. Le t’i realizojë reformat deri më 1 qershor. Le t’i fusë pakicat në Kushtetutë dhe le të tregojë se vërtet dëshiron që Maqedonia të vazhdojë drejt BE-së.”,  - thanë nga LSDM.
 
Përplasja politike vjen në një periudhë të ndjeshme për vendin, ndërsa çështja e integrimit evropian dhe marrëdhëniet me Bullgarinë mbeten ndër temat kryesore në skenën politike.
 
FLORIJE KAMBERI