Nuk kaloi propozimi i LSDM-së, ministrat mund të kenë dy shtetësi

18.05.2026 15:40

Grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate...

Grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate në seancë parlamentare propozuan që anëtarët e Qeverisë të kenë vetëm shtetësi maqedonase, por shumica në Kuvend nuk e mbështetën këtë nismë. Për propozimin votuan vetëm 20 deputetë të opozitës maqedonase.

Koordinatori i LSDM-së, Oliver Spasovski, tha se nëse deputetët duhet të kenë vetëm shtetësi maqedonase, i njëjti rregull duhet të vlejë edhe për ministrat. 

“Duke pasur parasysh se një kusht i tillë është përcaktuar edhe në Ligjin për deputetët, përkatësisht që deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mund të jenë ekskluzivisht vetëm shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut, atëherë, në përputhje me këtë, duhet të kemi një zgjidhje të tillë ligjore me të cilën praktikisht do të kufizojmë që ekskluzivisht dhe vetëm shtetasit e Republikës së Maqedonisë së Veriut të mund të zgjidhen si anëtarë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Oliver Spasovski.

Pas votimit, LSDM-ja deklaroi se VMRO-DPMNE është “një parti e mbushur me funksionarë me pasaporta bullgare.”

Pyetjet e deputetëve, LSDM akuza për mungesën e Fetait

Ndërkohë në seancën e Kuvendit pati edhe pyetje të deputetëve drejtuar Qeverisë. Deputetja e LSDM-së kërkoi që të parashtrojë pyetje për zëvendëskryeministrin Arben Fetahu, për të cilin nënkryetari i Kuvendit tha se Fetahu nuk ka sqaruar se pse nuk është në seancë.

“Ja, të nderuar qytetarë, binduni vetë se edhe sot Arben Fetai, zëvendëskryeministër i kësaj Qeverie, nuk është në vendin e tij të punës. Nuk është këtu për t’u përgjigjur para deputetëve, nuk është këtu për t’u përgjigjur para opinionit maqedonas, nuk është këtu për të shpjeguar se si është e mundur që një funksionar i ngarkuar me transparencë dhe përgjegjësi, vetë të bëhet simbol i mosangazhimit, papërgjegjshmërisë dhe mosrespektimit të ligjeve, të qytetarëve dhe të shtetit. Kjo ngre pyetjen: mbi cilat parime funksionon kjo Qeveri e Maqedonisë së Veriut?”, - theksoi deputetja e VMRO-së, Daniela Nikollova.                      

Edhe deputeti Oliver Spasovski akuzoi Qeverinë për mosprezencën e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, pyeti pse nuk merret iniciativë të shkarkohet, por nga deputetët e shumicës nuk pati përgjigje.

Pasholli sqarime për largimin e flamujve shqiptarë

Ndërkohë, deputetja Arbana Pasholli i parashtroi pyetje zëvendëskryeministrit të parë, Bekim Sali, lidhur me largimin e flamujve shqiptarë në Strugë.

“Ngjarjet e fundit në Strugë, ku në mënyrë të papranueshme dhe degraduese janë larguar flamujt kombëtarë shqiptarë nga hapësirat publike nuk paraqesin vetëm një incident institucional, por një tregues shqetësues të pozitës politike të shqiptarëve në vend. Kjo ka shkaktuar revoltë dhe ndjenjë nënçmimi te qytetarët shqiptarë. Prandaj, ky rast nuk mund as të minimizohet dhe as të normalizohet. Kërkojmë zbardhje të plotë të rastit dhe përgjegjësi konkrete. Zotëri Zëvendëskryeministër, pse deri sot nuk kemi pa reagim publik as nga ju as nga përfaqësuesit politikë në nivel lokal në Strugë për një rast që ka lënduar ndjenjat e qytetarëve shqiptarë.”, - theksoi deputetja e Frontit Evropian, Arbana Pasholli.

Sali: Çështja e flamujve është kompetencë e komunës

“Simbolet kombëtare janë të respektuara në vendin tonë dhe kjo është në kompetencë të komunave. Për këtë pyetje duhet t’i drejtoheni kryetarit të komunës, sidoqoftë unë do ta marr përsipër të konsultoj kryetarin e komunës dhe të pyes lidhur me këtë informacion se çfarë është ndërmarrë, ndërsa në aspektin institucional MPB-ja në çdo ankesë i kryen detyrat e tyre.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.

Po ashtu, deputetja Rina Ajdari i parashtroi disa pyetje Bekim Salit lidhur me eurointegrimet dhe ndryshimet kushtetuese, duke akuzuar koalicionin VLEN për mungesë fuqie politike.

Zëvendëskryeministri theksoi se orientimi i tyre politik mbetet integrimi në Bashkimin Evropian dhe se janë plotësisht të përkushtuar ndaj agjendës reformuese. (Armend Murseli, TVM2)