Përplasje mes këshilltarëve të AKI-së dhe VLEN-it

18.05.2026 16:02

Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar...

Këshilli i Komunës së Tetovës ka miratuar mbulimin e humbjeve për Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” në vlerë prej 71 milionë denarësh, vendim që pritet t’i japë fund krizës disamujore me pagat dhe kontributet e punëtorëve.

Me këto mjete do të shlyhen katër paga të prapambetura për rreth 150 të punësuar, si dhe kontributet e papaguara për më shumë se një vit.

“Kjo për punëtorët do të thotë që deri në fund të muajit të gjashtë, nëse realizohet pagesa e humbjes nga ana e komunës, çdo i punësuar me rrogat do të jetë në rregull dhe pa vonesa, dhe zero me kontributet, që një herë e përgjithmonë do të jetë fund i një problemi që e kemi gjetur. Afërsisht bëhet fjalë për 156 të punësuar me kontrata dhe vendime. Me ndihmën ndaj ndërmarrjes, që në bazë të vendimit do të ndahen rreth 71 milionë denarë, do të zgjidhet problemi edhe për disa muaj në të ardhmen.”, - deklaroi drejtori i NPK “Tetova”, Tetovë, Samet Bislimi.

Kjo seancë u shoqërua edhe me tensione politike, sidomos gjatë diskutimit për programin e menaxhimit me tokën shtetërore. Këshilltarët e AKI-së protestuan në sallë me pankarta në duar, duke kundërshtuar, siç thanë, shitjen e pronës publike.

“Patëm një debat të ashpër dhe shumë demokratik, ku protestuam edhe me mjete demokratike për ndalimin e shitjes së pronës publike, shitjen e pronës së Komunës së Tetovës. Mirëpo, siç e shihni edhe ju, ata i fituan ato 16 vota për shitjen e pronës publike me një vlerë prej 1 euro për metër katror. Për shembull për Sharaqinën, me vlerë prej 38 mijë euro për një sipërfaqe prej 38 mijë metrash katrorë, që është skandaloze.”, - deklaroi këshilltari i BDI-së, Berat Murati.

Nga ana tjetër, Albi Qamili nga VLEN mohoi akuzat se komuna po shet tokë me çmime simbolike, duke theksuar se çmimorja aktuale është miratuar në kohën kur BDI ishte në pushtet.

“Është vërtet qesharake dhe e habitshme kur këshilltarët e një partie, të cilët kanë shitur gjysmën e qytetit me çmime ashtu siç u ka konvenuar oligarkëve të tyre, na akuzojnë sot se po shesim parcela dhe toka me 1 euro për metër katror. Ndërkohë që edhe vetë çmimorja dhe rregullorja e çmimit janë sjellë kur ata kanë qenë në Qeveri, pra ky ligj është miratuar në vitin 2016 dhe sot na akuzojnë ne. Kjo nuk është e vërtetë. Duhet të kemi parasysh faktin se gjatë qeverisjes së tyre kanë lënë 13 mijë objekte pa leje, ndërsa ne sot gjithçka që bëjmë, e bëjmë me plan. Po u mundësojmë qytetarëve që çdo gjë që ndërtojnë, ta ndërtojnë me plan dhe objektet e tyre t’i kenë me leje.”, - theksoi këshilltari i VLEN-it, Albi Qamili.

Edhe këshilltari Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën” thotë se qytetarët e Tetovës duhet të dinë për parcelat që janë në kuadër të Komunës së Tetovës. Kjo, sipas Arifit, nuk do të thotë se komuna do t’i shesë tokat, mirëpo qytetarët duhet ta dinë dhe të informohen se cilat parcela janë në programin për shitje dhe me çfarë çmimi shiten ato. (Visar Sadiku, TVM2)