Shkup, protesta e studentëve: Provimi i jurisprudencës në shqip, mbështetje nga hapësira mbarë shqiptare

18.05.2026 19:29

Gjuha shqipe zyrtare, drejtësi, barazi, nuk ka shtet pa rini, gjuha shqipe nuk negociohet....

Gjuha shqipe zyrtare, drejtësi, barazi, nuk ka shtet pa rini, gjuha shqipe nuk negociohet.

Këto ishin disa nga brohoritjet e protestës së studentëve të juridikut të tre universiteteve UT, UEJL dhe UNT, të cilët kërkuan zbatimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Studentët pjesërisht të bindur se qeveria do gjejë zgjidhje, ashtu siç u tha së fundmi. Në rast të mospërfilljes së kërkesave të tyre, ata thonë se nuk do të ndalen së protestuari.

“Tashmë e dijnë të gjithë se sa besim kemi te institucionet. Kemi shpresa të mëdhaja, nuk do të ndalemi deri sa të realizohet kjo e drejta jonë.”

“Nuk besojmë se zgjidhje gjindet një ditë para protestës. Është deshur që ta zgjidhin tabnimë njëzet vite dhe nuk e kanë zgjidhur dhe një ditë para protestës nuk mundet me u zgjidh.”

“Ligjin e kemi, në kushtetutë shkruan, është e garantuar me ligj dhe me kushtetutë, vetëm duhet të zbatohet. Presim rezultate të mira por do ta shohim në vazhdim.” – thanë disa nga studentët e intervistuar nga TVM2.

Protesta u përkrah nga qytetarë të qyteteve të ndryshme të Maqedonisë por edhe nga studentë nga Kosova dhe Shqipëria.

“Jemi një grup i Kosovës. Studentët e Kosovës i bashkëngjiten protestës së Maqedonisë  së Veriut. Jemi vetëm për qëllim solidariteti me studentët e Maqedonisë së Veriut.” – tha Alt Rexhepi, student nga Kosova.

“Protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e të drejtave të popullit shqiptarë në Maqedoni.” – u shpreh një qytetarë nga Kosova.

“Patjetër të ketë zgjidhje. Ne jetojmë në një shtet ku ka demokraci dhe patjetër duhet të ketë zgjidhje për çdo gjë që na mungon.” – theksoi një qytetare nga Tetova.

Nuk mungoi as mbështetja akademike por edhe politike. Profesorë të universiteteve ishin prezentë si dhe përfaqësues të opozitës shqiptare. Marshimi nga ura e gurit përfundoi para Ministrisë së Drejtësisë, për ti adresuar edhe një herë kërkesat ministrit Fillkov për mbajtjen e provimit në gjuhën shqipe.

Ky është tubimi i dytë pasi studentët shqiptarë shprehën revoltën e tyre edhe në protestën e majit. (Meral Ismaili, TVM2)