Botë
Trampi pezullon sulmin e planifikuar ndaj Iranit
19.05.2026 10:10
Tramp, tha se ka pezulluar një sulm të planifikuar ajror ndaj Iranit për të lejuar zhvillimin e negociatave...

Presidenti amerikan, Donald Tramp, tha se ka pezulluar një sulm të planifikuar ajror ndaj Iranit për të lejuar zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, pasi Teherani dorëzoi një propozim të ri për paqe përmes Pakistanit, që ka rolin e ndërmjetësuesit.
Duke folur për gazetarët disa orë pasi njoftoi për shtyrjen e sulmit ushtarak të planifikuar për të martën, Trampi tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin të kënaqura vetëm nëse arrihet një marrëveshje me Iranin që parandalon Teheranin që të ketë armë bërthamore. Udhëheqësi amerikan shtoi se “duket se ka një shans të mirë që të punohet për një marrëveshje”, teksa Pakistani i përshkroi bisedimet si “të vështira”.
Propozimi i Iranit raportohet se vë si prioritet përfundimin e konfliktit që nisi në fund të shkurtit, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë dhe gaz, dhe lehtësimin e sanksioneve, teksa po ashtu shtyn zgjidhjen e mospajtimeve lidhur me programin bërthamor të Teheranit.
Burimet iraniane po ashtu kanë pretenduar se Uashingtoni ka treguar fleksibilitet më të madh sa u përket aseteve të ngrira dhe aktivitetit civil bërthamor, edhe pse ShBA-ja nuk ka konfirmuar se ka bërë ndonjë lëshim.
