Rajon

Shqipëria dhe Mali i Zi forcojnë bashkëpunimin drejt BE-së

19.05.2026 13:54

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti në një vizitë zyrtare homologun e tij të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq...

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, priti në një vizitë zyrtare homologun e tij të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq. Kryediplomatët e dy vendeve pararojë në procesin e integrimit u angazhuan për më shumë bashkëpunim dhe folën për rikthimin e takimeve të përbashkëta qeveritare.
 
“Të riaktivizojmë një mekanizëm të rëndësishëm që është takimi qeveritar, kur të kemi edhe elementet e nevojshme për të shkuar më tej. Vëmendja jonë duhet të përqendrohet te projektet ndërkombëtare. Do të angazhohemi për t’i dhënë shtysë projekteve prioritare si hapja e doganës së përbashkët kufitare Zogaj–Skje, avancimi i urës mbi lumin Buna dhe hekurudha Podgoricë–Hani i Hotit. Çdo sukses i Malit të Zi në rrugën e anëtarësimit në BE është lajm i mirë për rajonin dhe një kontribut për forcimin e perspektivës evropiane në Ballkanin Perëndimor.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha.
 
“Objektivi ynë është anëtarësimi i Malit të Zi në BE gjatë vitit 2028. Është domethënëse që Mali i Zi dhe Shqipëria janë aktive në negociata dhe dy vendet tona do të vijojnë të tregojnë shembullin e përgjegjshmërisë dhe bashkëpunimit në rajon. Theksuam nevojën për një ndërlidhje më të fortë ekonomike në fushën e infrastrukturës. Kemi interes për të pasur një prani më të lartë të kompanive malazeze në Shqipëri.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq.
 
Mali i Zi do të jetë mikpritësi i radhës i Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet më 5 qershor. Takimi paraardhës u mbajt në Tiranë më 6 dhjetor të vitit 2022, për herë të parë në territorin e një vendi që nuk ishte pjesë e BE-së. 


LULJETA NDOKA