Botë

OBSh: 30 raste të reja të konfirmuara nga virusi Ebola

19.05.2026 14:14

Në Afrikën Qendrore përshkallëzohet përhapja e Ebolës.

Në Afrikën Qendrore përshkallëzohet përhapja e Ebolës. Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së sot njoftoi për 30 raste të reja të konfirmuara në Kongo, ndërsa alarmon se ka raste të dyshuara dhe 130 vdekje të tjera të dyshuara. Janë  raportuar vdekje mes punonjësve shëndetësorë, çka tregon transmetim të lidhur me institucionet shëndetësore. 
 
“Deri tani, 30 raste janë konfirmuar në DRC, në provincën veriore Ituri. Uganda gjithashtu ka informuar OBSh-në për dy raste të konfirmuara në kryeqytetin Kampala, përfshirë një vdekje mes dy personave që kishin udhëtuar nga DRC. Përtej rasteve të konfirmuara, ka më shumë se 500 raste të dyshuara dhe 130 vdekje të dyshuara.”, - deklaroi drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebrejesus.
 
Organizatat ndërkombëtare të shëndetësisë kanë mobilizuar furnizime mjekësore për të mbështetur Qeverinë e DRC-së në trajtimin e pacientëve me Ebola dhe në ndalimin e përhapjes së sëmundjes ngjitëse në një rajon të prekur nga konflikti.
 
“Mendoj se sfida kryesore me të cilën do të përballemi në Ituri është popullsia, sepse popullsia atje është shumë e madhe dhe lëviz kudo. Ka shumë tregtarë dhe njerëzit udhëtojnë në të gjitha drejtimet, kështu që ky është problemi më i madh me të cilin përballemi atje.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë i DRC-së, Samuel Roger Kamba. 
 
“Kjo është një sfidë lokale që kërkon udhëheqje në vijën e parë dhe ne do ta kemi atë dhe do ta mbështesim, por kjo sfidë lokale mund të bëhet globale në një çast dhe këto janë rreziqet për të cilat jemi të gjithë të vetëdijshëm.”, - u shpreh përfaqësuesi i World Food Programme dhe drejtori për Nigerinë, Dejvid Stivenson.
 
Në mungesë të një vaksine, ka shumë masa të tjera që vendet mund të ndërmarrin për të ndaluar përhapjen e këtij virusi dhe për të shpëtuar jetë edhe pa kundërmasa mjekësore, përfshirë komunikimin e rrezikut dhe angazhimin e komunitetit, thonë nga OBSh-ja.
 
ARLINDA BAFTIU