Maqedoni

Këshilli Gjyqësor, 7 kandidatë në garë për anëtar të ri

19.05.2026 14:41

Shtatë kandidatë janë tashmë në garë për anëtarin e ri të Këshillit Gjyqësor pas përfundimit të mandatit të dytë në dhjetorin e vitit të kaluar të anëtarit Selim Ademi....

Shtatë kandidatë janë tashmë në garë për anëtarin e ri të Këshillit Gjyqësor pas përfundimit të mandatit të dytë në dhjetorin e vitit të kaluar të anëtarit Selim Ademi. Mes tyre ka juristë, gjyqtarë, avokatë, një ish-shef policie dhe bashkëpunëtorë profesionalë gjyqësorë. Kandidatët në garë për vendin vakant janë: Sabedin Dauti, Artim Islami, Shpresa Dauti, Feuzi Xhaferi, Elvir Iseini, Fadil Xhelili dhe Fatmir Emrullau. Ata premtojnë se me përkushtim do ta kryejnë detyrën nëse zgjidhen dhe se CV-ja e tyre e deritanishme është dëshmi se janë përzgjedhja e duhur për këtë post.
 
“Do të angazhohem që deri në fund të karrierës sime t’i respektoj këto principe, pra punën me ndershmëri, ndërgjegje, paanshmëri, respektim të ligjeve dhe sistemit të meritokracisë dhe profesionalizmit.”, - deklaroi kandidati për anëtar në Këshillin Gjyqësor, Sabedin Dauti.
 
“Unë do të kontribuoj në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, sepse e dimë që momentalisht besimi në gjyqësor është i ulët për shkak të një numri të madh gjykatësish, të cilët me punën e tyre gjatë viteve në lëndë të ndryshme, kanë bërë që gjyqësori të jetë shpesh në qendër të kritikave të medias dhe të Bashkimit Evropian.”, - theksoi kandidatja për anëtare në Këshillin Gjyqësor, Shpresa Dauti. 
 
Këshilli Gjyqësor është organi më i lartë i pavarur në sistemin gjyqësor, i ngarkuar me garantimin e pavarësisë dhe profesionalizmit të gjyqësorit. Në një kohë kur besueshmëria në sistemin gjyqësor është e ulët, anëtarët e Këshillit Gjyqësor kanë një rol tepër të rëndësishëm si garantues të respektimit të standardeve ligjore dhe shtetit të së drejtës.
 
FLORIJE KAMBERI