Maqedoni

Protesta e studentëve shqiptarë, VLEN: Ndërtojmë të ardhme për të rinjtë

19.05.2026 14:59

Koalicioni VLEN i angazhuar për zgjidhjen institucionale të kërkesës së studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe...

Koalicioni VLEN i angazhuar për zgjidhjen institucionale të kërkesës së studentëve shqiptarë që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe. Partia shqiptare në pushtet thotë se realizimi i kësaj të drejte do të jetë më i avancuar.
 
“Studentët kërkuan zgjidhje për provimin e jurisprudencës, por VLEN-i shkoi një hap më tej. Ne e pamë problemin në tërësi dhe tashmë po punojmë për zgjidhje ligjore që të gjitha provimet profesionale dhe licencat pasuniversitare për punë të jenë të qasshme për të rinjtë në gjuhën e tyre amtare. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një sistem të drejtë dhe logjik. Ai që ka studiuar në shqip, të ketë të drejtë edhe licencën për punë ta marrë në shqip.”, thonë nga VLEN.
 
Ndalimi i studentëve nga Shqipëria, Ajdari: Iseni të japë llogari
 
BDI ka reaguar në lidhje me ndalimet dhe vonesat e studentëve nga Shqipëria, në kufirin me Maqedoninë e Veriut një ditë më parë, të cilët duhej të merrnin pjesë në protestën e organizuar në Shkup. Deputetja Rina Ajdari kërkoi përgjegjësi nga funksionarët e VLEN-it, e në veçanti nga zëvendësministri i Brendshëm, Astrit Iseni.
 
“Llogari duhet të japë edhe zëvendësministri i MPB-së, Astrit Hiseni, për trajtimin e studentëve nga Shqipëria, të cilët kishin ardhur në Shkup për të mbështetur protestën. Në vend që të garantohej lëvizje e lirë dhe pjesëmarrje demokratike, studentët u penguan dhe u vunë në presion policor. Mesazhi ynë për studentët është i qartë: Nuk jeni vetëm.”, - deklaroi Rina Ajdari nga BDI.
 
Meidani: Janë prekur parimet demokratike
 
Ka reaguar edhe ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani. Në një postim në rrjetet sociale, Mediani ndalimin dhe pengimin e studentëve nga Shqipëria e cilëson si një çështje që tejkalon procedurat administrative dhe sipas tij, prek parimet demokratike dhe vlerat evropiane. Sipas tij, studentët që udhëtuan nga Tirana nuk kërkuan përplasje, por shprehje solidariteti dhe mbështetje për të drejtën e testimit dhe ushtrimit të profesionit në gjuhën amtare.
 
MERAL ISMAILI