Siljanovska në vizitë zyrtare në Slloveni, ndryshime kushtetuese pas negociatave me BE-në
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë ndryshime kushtetuese...

Maqedonia e Veriut ka bërë shumë ndryshime kushtetuese në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por më problematike janë ato që janë kërkuar nga jashtë, ka theksuar presidentja Gordana Siljanovska Davkova, në një vizitë zyrtare në Slloveni.
Ajo përmendi dy marrëveshje kryesore, atë të Ohrit dhe Prespës, e tani, siç tha, po kërkohet një tjetër ndryshim i Kushtetutës për të përfshirë edhe bullgarët si komunitet i përmendur në Kushtetutë, që vendi të mund të hapë negociatat me BE-në.
Ajo propozoi që këto ndryshime të miratohen, por të hyjnë në fuqi vetëm pasi të përfundojnë negociatat me BE-në, me kusht që të jenë ndryshimet e fundit.
“Maqedonia e Veriut nuk i frikësohet vetos, por kushtëzimet duhet të bazohen në kriteret evropiane dhe jo në çështje që lidhen me historinë, gjuhën dhe identitetin. Zgjidhja jonë solomonike është që, nëse i bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe ato vërtet janë të fundit, ato të hyjnë në fuqi vetëm pasi të përfundojmë negociatat me Bashkimin Evropian. Ne nuk i shmangemi vetos, por ajo duhet të lidhet me Kriteret e Kopenhagës dhe jo me çështje të identitetit.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanvoska Davkova.
Siljanovska beson se pavarësisht faktit që bullgarët nuk përmenden në Kushtetutë, ajo u garanton atyre të njëjtat të drejta si atyre që përmenden tashmë në të.
“Duhet përmendur gjithashtu se Bullgaria nuk ka një nen të veçantë në Kushtetutën e saj që garanton të drejtat e pakicave në vend dhe se ka edhe një numër të madh vendimesh nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg në lidhje me të drejta të caktuara të maqedonasve, të cilat ajo, ose më saktë gjykatat e saj, nuk i respektojnë.”, - theksoi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanvoska Davkova.
Pas ligjëratës, presidentja Gordana Siljanovska Davkova në vizitën zyrtare në Slloveni zhvilloi takim me homologen e saj sllovene Natasha Pirc Musar dhe pati një drekë pune me kryetarin e Kuvendit Shtetëror të Sllovenisë, Zoran Stevanoviq. (Armend Murseli, TVM2)
