Maqedoni
Kontesti maqedono – bullgar, Mickoski fton opozitën në unitet
19.05.2026 15:36
Mickoski ka ftuar opozitën në unitet sa i takon interesave shtetërore dhe kombëtare maqedonase....

Kryeministri Hristijan Mickoski ka ftuar opozitën në unitet sa i takon interesave shtetërore dhe kombëtare maqedonase. Sipas kryeministrit, asnjë ambicie personale nuk duhet të vihet para shtetit, dhe sipas tij, nuk duhet të bëhen përjashtime dhe të nënvlerësohet shteti, sa i takon mosmarrëveshjeve me Bullgarinë.
“Ky shtet nuk guxon që të jetë shtet i poshtërimeve, lëshimeve dhe shitjeve. Ky popull ka vuajtur shumë që të lejojë dikush lehtë të tregtojë me nderin e tij, identitet dhe historinë. Duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara. Ky vend më së shumti ka vuajtur atëherë kur nga brenda ka pasur njerëz të gatshëm që për interes personal ta përulin shtetin. Populli duhet të jetë i kujdesshëm se kujt ia beson të ardhmen.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Filipçe: Me bullgarët forcohet identiteti maqedonas
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, refuzoi ofertën e kryeministrit, duke thënë se nuk bisedojnë me persona jo të sinqertë. Ai kritikoi VMRO-DPMNE-në se me paramendim po bllokon vendin drejt BE-së. Kryesocialdemokrati Venko Filipçe thotë se reformat quhen ndryshime kushtetuese dhe se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë përforcohet identiteti kombëtar.
“Me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë përforcohet identiteti ynë kombëtar, me të gjitha përcaktimet identitare, pasi që atëherë është i qartë dallimi midis popullit maqedonas dhe pakicës bullgare që jeton këtu. Kjo është çështja e fundit që Mickoski duhet ta pranojë.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ka pasuar akuza nga VMRO-DPMNE, që e quajnë Filipçen bashkëpunëtorë të bullgarëve, pasi që nuk ka ndëshkuar deklaratën e ministres bullgare, e cila i ka quajtur maqedonasit maqedono-verior. Nga VMRO-ja ripërsërisin se me palën bullgare nuk do të negociojnë për historinë, kulturën dhe gjuhën dhe shprehin optimizmin se deri në qershor do ta përmbyllin me sukses agjendën reformuese.
MERAL ISMAILI
