Forumi EUSAIR në Shkup, në fokus, zgjerimi i BE-së

19.05.2026 16:23

Me mbajtjen e Forumit të 11-të të Iniciativës Adriatiko-Joniane...

Me mbajtjen e Forumit të 11-të të Iniciativës Adriatiko-Joniane dhe Strategjisë së BE-së për Rajonin Adriatiko-Jonian në Shkup, Maqedonia e Veriut përmbylli kryesimin e saj njëvjeçar 2025-2026.

Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, tha se mandati u nis në Nju Jork në OKB dhe se gjatë vitit u arritën objektiva konkrete për forcimin e bashkëpunimit dhe lidhshmërisë rajonale. Si prioritet nënvizoi zgjerimin e BE-së.

“Zgjerimin e Bashkimit Evropian e shohim si prioritet gjeostrategjik për rajonin tonë. Ne mbështesim një proces zgjerimi të bazuar në meritë, me njëkohësisht përafrim të thellë me standardet evropiane.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali tha se nën moton “Forcimi i unitetit rajonal dhe e ardhmja evropiane”, fokusi mbetet në integrimin evropian, lidhjen rajonale dhe forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

“Sot si asnjëherë më parë rëndësia e bashkëpunimit makro-rajonal po bëhet më se evidente. Evropa po përballet me situatë të ndërlikuar gjeopolitike, probleme energjetike, tensionet në Lindjen e Mesme që janë kërcënime edhe për rajonin evropian, por edhe për ne. Në rrethana të tilla bashkëpunimi nuk paraqet vetëm opsion politik, është nevojë strategjike dhe këtu EUSAIR tregon vlerat e saj, sepse është platformë që lidh vendet anëtare të BE-së.”, - theksoi zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bekim Sali.

Sekretari i Përgjithshëm i EUSAIR, Xhovani Kastelaneta, tha se Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbetet jashtë procesit të integrimit evropian, duke kujtuar se vendet e rajonit presin anëtarësimin që nga viti 2003.

“Vendet e këtij rajoni presin që nga viti 2003 integrimin në Bashkimin Evropian, ndërsa perspektivat evropiane për Moldavinë dhe Ukrainën janë të mbështetura plotësisht nga politika. Nëse vendet e Ballkanit Perëndimor përjashtohen në këtë mënyrë, do të dobësohen bashkëpunimi dhe stabiliteti në të gjithë rajonin evropian.”, - u shpreh sekretari gjeneral i EUSAR, Xhovani Kastelaneta.

Në përmbyllje të kryesimit, përfaqësuesit e vendit theksuan se bashkëpunimi rajonal sjell rezultate dhe se perspektiva evropiane mbetet angazhim i përbashkët.

Kryesimi i kalon Italisë për 2026 - 2027, ndërsa vendi mbetet i përkushtuar për bashkëpunimin adriatiko-jonian dhe integrimin evropian të rajonit. (Armend Murseli, TVM2)