Kuvend, debat i ashpër për huamarrjen prej 260 milionë eurove

19.05.2026 16:52

Debati në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhet...

Debati në Komisionin Parlamentar për Financim dhe Buxhet, ku duhej të diskutohet për huamarrjen në vlerë prej 260 milionë eurosh nga bankat e huaja tregtare nuk kaloi pa përplasjen e partive opozitare me ato të VMRO-DPMNE-së.

Sipas deputetëve të opozitës, vendimi për të miratuar kredinë përmes një procedure të shkurtuar është e papranueshme.

“Ta ndryshosh rendin e ditës, ku ishte sjellja e strategjisë financiare, para huas së re, është e pakuptimtë. Nëse aq shumë po ju ngutet procedura e shkurtuar, nuk është zgjidhje për miratimin e huamarrjes së re, por është procedura urgjente, sepse nuk ka procedurë të shkurtuar për 320 milionë euro huamarrje në kurriz të qytetarëve.”, - deklaroi Fatmir Bytyqi nga LSDM.

“Kemi qëndrime diametralisht të kundërta dhe mendoj se Kuvendi është vendi ku ne duhet këto argumente t’i ballafaqojmë. Ejani, le t’i themi argumentet tona, ju tregoni argumentet tuaja, dhe le t’i mbetet sovranit ta sjellë gjykimin e drejtë se kush ishte në të drejtë, dhe argumentet e kujt ishin më të qëndrueshme.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, deklaroi se huamarrja është brenda kornizës së parashikimeve fiskale të përcaktuara më parë dhe se shteti ka marrë tetë oferta nga institucione financiare.

Por, sipas deputetit të ASh-së, Ilmi Aziri, opinioni e ka të qartë se kush dëshiron të largohet nga debati.

“Kolegë, ne e dimë se kush dhe sa është i përgatitur për debat, sepse kemi pasur raste kur ju si grup parlamentar pikat e rendit të ditës në seancën plenare, e të cilat kanë qenë të propozuara nga ana e partia jonë, ju i keni larguar nga rendi i ditës.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Ilmi Aziri.

Sipas kushteve të propozuara, kredia do të tërhiqet në një këst, me një periudhë shlyerjeje prej shtatë vjetësh dhe një periudhë mospagimi prej tre vjetësh. Shlyerja do të bëhet në nëntë këste të barabarta.

Interesi do të jetë i ndryshueshëm, i llogaritur bazuar në EURIBOR gjashtëmujor të rritur me 2.1%. (Fitim Kryeziu, TVM2)