Botë
Xi Jinping dhe Putini shfaqin unitet në Pekin
20.05.2026 09:38
Presidentët e Kinës dhe Rusisë theksuan sot forcën e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve...

Presidentët e Kinës dhe Rusisë, Xi Jinping dhe Vladimir Putin, theksuan sot forcën e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, gjatë takimit të zhvilluar në Pekin, në një moment tensionesh të shumta globale dhe pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Tramp në kryeqytetin kinez.
Takimi mes dy liderëve u zhvillua në një periudhë tensionesh të shumta ndërkombëtare, përfshirë krizën në Lindjen e Mesme, tensionet tregtare globale dhe çështjet energjetike. Xi Jinping paralajmëroi se rifillimi i armiqësive në rajon do të ishte “i pakohë”, ndërsa ceremonia e pritjes së Putin në Pekin u shoqërua me një paradë ushtarake, himnet kombëtare dhe një protokoll pothuajse identik me atë të përdorur gjatë vizitës së Donald Trampit.
Në qendër të diskutimeve pritet të ketë qenë edhe lufta në Ukrainë, megjithëse analistët vlerësojnë se Xi Jinping nuk do të ushtrojë presion të madh ndaj Moskës. Sipas analistëve ndërkombëtarë, Putini kërkon garanci nga Xi Jinping se përmirësimi i mundshëm i marrëdhënieve mes ShBA-së dhe Kinës pas vizitës së Trampit nuk do të jetë në dëm të Rusisë.
Mediat shtetërore kineze, përfshirë CGTN, e cilësuan partneritetin Kinë-Rusi si një nga marrëdhëniet “më të qëndrueshme, më të pjekura dhe më të vlefshme” mes fuqive të mëdha globale.
