Botë
Putini takohet me Xi Jinping, partneriteti Rusi - Kinë hyn në fazë të re
20.05.2026 14:10
Partneriteti strategjik Rusi - Kinë po hyn në një fazë më të thelluar bashkëpunimi...

Partneriteti strategjik Rusi - Kinë po hyn në një fazë më të thelluar bashkëpunimi, me theks të veçantë në koordinimin politik, ekonomik dhe ndërkombëtar mes dy vendeve. Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Beijing theksuan se marrëdhëniet dypalëshe kanë arritur një nivel historikisht të lartë dhe se bashkëpunimi zgjerohet në mënyrë të qëndrueshme në fusha kyçe si tregtia, teknologjia dhe kërkimi shkencor. Gjatë takimit u nënshkruan dhjetëra marrëveshje të reja dhe një deklaratë e përbashkët për forcimin e koordinimit strategjik dhe promovimin e një rendi botëror shumëpolar, duke reflektuar synimin e të dy palëve për një rol më të fortë në skenën globale dhe një bashkërendim më të ngushtë në çështjet ndërkombëtare.
“Rusia dhe Kina janë të përkushtuara ndaj politikave të jashtme të pavarura dhe autonome, punojnë në partneritet të ngushtë strategjik dhe luajnë një rol të rëndësishëm stabilizues në skenën globale. Ne punojmë së bashku për paqe dhe prosperitet universal.”, - deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Putini theksoi se Rusia mbetet furnizues i besueshëm i energjisë për Kinën, ndërsa tregtia dypalëshe vitin e kaluar arriti rreth 240 miliardë dollarë. Kina mbetet blerësi më i madh i naftës ruse dhe një aleat kyç i Moskës, pavarësisht sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë. Gjatë vizitës u arrit edhe një mirëkuptim paraprak për projektin “Fuqia e Siberisë 2”, një gazsjellës që mund të transportojë deri në 50 miliardë metra kub gaz në vit drejt Kinës. Xi Jinping tha se të dy vendet duhet të veprojnë si “fuqi të mëdha të përgjegjshme” për të mbrojtur drejtësinë ndërkombëtare dhe për t’iu kundërvënë presioneve të njëanshme në një situatë globale “të ndërlikuar dhe të paqëndrueshme”.
“Në botën e sotme, ku vërehen qasje gjithnjë e më të njëanshme dhe ndarje, është e nevojshme të forcohet bashkëpunimi mes fuqive të mëdha. Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe fuqi të rëndësishme botërore, Kina dhe Rusia duhet të kenë një vizion strategjik afatgjatë për të siguruar një rend ndërkombëtar më të barabartë.”, - theksoi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Ai paralajmëroi gjithashtu për situatën në Lindjen e Mesme, duke kërkuar ndalim të menjëhershëm të armiqësive për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm. Donald Trampi tha se është i bindur se Kina nuk do të dërgojë armë në Iran dhe se Pekini ka interes për stabilitet në Lindjen e Mesme.
“Presidenti Xi më premtoi se nuk do të dërgojë armë në Iran. Unë i besoj fjalës së tij dhe e vlerësoj këtë. Kina ka interes në stabilitet dhe rrjedhje të lirë, sepse merr rreth 40% të naftës së saj nga atje.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Para takimit në Kinë me Xi Jinping u zhvilluan edhe takime paraprake në nivel diplomatik, përfshirë diskutime me delegacionin iranian të kryesuar nga Abas Aragçi dhe një takim me Donald Trampin, me fokus në uljen e tensioneve dhe koordinimin politik ndërkombëtar.
FARIJE DAUTI BAKIU
