Botë

Epidemia e Ebolës në Afrikë, kërkohet ndihmë ndërkombëtare për përballim

20.05.2026 14:32

Republika Demokratike e Kongos kërkon ndihmë ndërkombëtare për luftën kundër epidemisë së Ebolës....

Republika Demokratike e Kongos kërkon ndihmë ndërkombëtare për luftën kundër epidemisë së Ebolës. Numri i rasteve të dyshuara vazhdimisht rritet, ndërsa Uganda ka vendosur karantinë për mbi 100 persona, për shkak të kontaktit të mundshëm me të infektuarit. Deri tani janë konfirmuar mbi 500 raste të dyshuara dhe mbi 130 vdekje në rajon. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreziku i përhapjes globale të epidemisë është i ulët, por i lartë në nivel kombëtar dhe rajonal.
 
“Ky virus na prek të gjithëve, prandaj varet nga të gjithë ne që të angazhohemi dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë – Kongo, Samuel Roger Kamba.
 
“Të gjitha komunitetet e prekura nga këto viruse duhet të marrin mbështetjen e nevojshme qeveritare dhe ne punojmë për këtë.”, - u shpreh ministri i Komunikimeve, Patrik Mujaja Katembve.
 
OBSh-ja njoftoi se një vaksinë e mundshme nuk do të jetë e disponueshme të paktën edhe për dy muaj, ndërsa së bashku me OKB-në autoritetet forcojnë reagimin ndaj shpërthimit. Janë dërguar ekipe shtesë mjekësore dhe pajisje në zonat e prekura.
 
“Agjencia ka vendosur ekspertë në terren së bashku me shërbimet kombëtare për menaxhimin e shpërthimit dhe ka dërguar 12 tonë furnizime, përfshirë pajisje mbrojtëse personale për punonjësit shëndetësorë në vijën e parë.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stefan Dujarriq.
 
“Mbi 100 persona janë identifikuar dhe janë vendosur në karantinë, po trajtohen nga personel mjekësor shumë i përgatitur. Kjo është e rëndësishme. Çdo gjë tjetër është shpërqendrim. Uganda është përballur me sukses me Ebolën edhe më parë.”, - theksoi Alan Kasuja nga Qendra Mediale e Ugandës.
 
Një mjek amerikan i infektuar me virusin vdekjeprurës në Kongo është transferuar për trajtim në Gjermani. Mbërritja e tij në aeroportin e Berlinit u zhvillua nën protokolle ekstreme sigurie dhe shoqërim të fortë policor, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit edhe në Evropë. Ministria e Shëndetësisë e Çekisë njoftoi gjithashtu se po përgatitet të pranojë një shtetas amerikan për të cilin dyshohet se është infektuar me Ebola.
 
FARIJE DAUTI BAKIU