Maqedoni
Dogana, gjysmë milioni euro të sekuestruara në Tabanoc
20.05.2026 14:47
Sektori për Kontroll dhe Hetime pengoi një transferim të paligjshëm të parave në vlerë prej gjysmë milioni eurosh...

Sektori për Kontroll dhe Hetime, përmes Departamentit për Operacione Operative, pengoi një përpjekje për transferim të paligjshëm të parave të gatshme në vlerë prej gjysmë milioni eurosh, të paketuara në 14 qese transparente, të gjetura në një bunker të ndërtuar posaçërisht në një minibus. Ky rezulton të jetë sekuestrimin më i madh i valutës në historinë e Administratës Doganore, theksoi drejtori Boban Nikollovski.
“Përpjekja u zbulua në një aksion të Departamentit për Operacione Operative në hyrje të shtetit, në pikën kufitare Tabanoc, ku u krye kontroll i detajuar i një minibusi në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria, me të cilin transportoheshin shtatë pasagjerë. Valuta dhe automjeti janë konfiskuar përgjithmonë, ndërsa autori, shtetas i Republikës së Shqipërisë me inicialet Xh.G., i cili drejtonte minibusin, është ndjekur penalisht në përputhje me ligjin, për çka tashmë është shqiptuar edhe vendim gjyqësor nga Gjykata Themelore e Kumanovës.”, - deklaroi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski.
Ekipi mobil ka vërejtur modifikime në automjet, pas së cilës u angazhua qeni doganor, i cili ka treguar indikacione për kontrabandë në të njëjtin vend. Dyshimet u konfirmuan edhe pas skanimit të automjetit nga Shërbimi për Skanerë Mobilë, pas së cilës inspektorët e ekipit mobil nisën çmontimin e profilit ku gjetën gjithsej 14 qese transparente me 500 mijë euro të paketuara brenda, deklaroi drejtori, duke porositur se çdo përpjekje për transferim të paligjshëm ndërkufitar të parave të gatshme do të sanksionohet maksimalisht.
“Në përputhje me ligjin, valuta e sekuestruar i është dorëzuar Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, prej nga është depozituar në Bankë Popullore të Maqedonisë së Veriut.”, - theksoi drejtori i Administratës Doganore, Boban Nikollovski.
Në pyetjen e gazetarëve se për ku ishin të destinuara paratë, drejtori i Drejtorisë Doganore tha që nuk kanë informacion, duke shtuar se institucionet kompetente janë informuar zyrtarisht për rastin dhe do të merren me hetimet e mëtutjeshme.
ARLINDA BAFTIU
