Maqedoni

Shënimi i Ditës së Evropës, Gashi: Evropa varet edhe nga ne

20.05.2026 15:31

Rruga evropiane e vendit nuk varet vetëm nga Brukseli...

Rruga evropiane e vendit nuk varet vetëm nga Brukseli, por mbi të gjitha nga vetë qytetarët dhe përkushtimi i tyre ndaj vlerave evropiane, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ai paralajmëroi gjithashtu se pa ndryshime konkrete dhe angazhim më të madh, të rinjtë do të vazhdojnë të largohen nga vendi. Në fjalimin e tij, Gashi rikujtoi se shteti ka bërë kompromise të mëdha në rrugën drejt integrimit evropian, por tha se këto hapa nuk janë vlerësuar sa duhet. 
 
“Në vitin 2018 e ndryshuam emrin e shtetit, sot quhemi Republika e Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht, kornizat kryesore evropiane dhe Brukseli si sinonim për Evropën, nuk arritën ta vlerësojnë këtë, ta tregojnë këtë si vlerë të madhe. Sot kemi vende që janë para nesh - Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa ne ende presim të hapim kapitujt.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
 
Njëkohësisht, ai theksoi se rruga drejt Bashkimit Evropian është zgjedhja më e mirë, por se thelbi i demokracisë është gjithmonë ekzistenca e alternativave dhe kultivimi i vlerave. Nga ana tjetër, kryetarja e Lëvizjes Evropiane në Maqedoni, Mileva Gjurovska, tha se Evropa përfaqëson më shumë se një hapësirë gjeografike, duke e cilësuar integrimin evropian si projektin më të madh paqësor në historinë moderne.
 
“Bashkësia Evropiane ka mundësuar më shumë se shtatë dekada paqe dhe prosperitet përmes bashkëpunimit, duke mbetur projekti më i rëndësishëm dhe më i madh paqësor në historinë e njerëzimit. Integrimi i kontinentit gjithnjë e më shumë po njihet si një forcim i domosdoshëm. Evropa nuk është vetëm gjeografi, por një hapësirë që çdo ditë e zgjedhim si destinacionin tonë dhe si vlerë me të cilën duam të jetojmë.”, - theksoi Mileva Gjurovska nga Lëvizja Evropiane. 
 
Në aktivitetin e organizuar me rastin e Ditës së Evropës, pjesëmarrësit vlerësuan se procesi i integrimit nuk duhet të shihet vetëm si çështje teknike, por si proces që lidhet drejtpërdrejt me sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit. Gjithashtu ata thanë se Evropa sot po përballet me sfida, ndaj vendet evropiane duhet të punojnë së bashku për siguri më të madhe dhe përmirësim të jetës së qytetarëve.
 
ERSAN PAJAZITI