Gjykimi për rastin "Puls", shpalosen dëshmi materiale të Prokurorisë

20.05.2026 15:46

Prokuroria ka vazhduar me shpalosjen e dëshmive materiale...

Prokuroria ka vazhduar me shpalosjen e dëshmive materiale për tragjedinë në diskotekën "Puls" në Koçan, ku humbën jetën 63 persona.

Me video-materiale dhe fotografi nga diskoteka vite para shpërthimit të zjarrit, të siguruara nga rrjetet sociale, Prokuroria pretendon të dëshmojë se para tragjedisë diskoteka ka shfrytëzuar piroteknikë gjatë performancave të artistëve të saj.

Këto dëshmi, sipas prokurorit, shpalosen me qëllim që publiku të njoftohet se si ka funksionuar diskoteka para tragjedisë dhe se e njëjta nuk i ka plotësuar kushtet minimale teknike që të kryejë këtë veprimtari.

Njëkohësisht, sipas Prokurorisë, këto dëshmi tregojnë se në diskotekë prej kohësh kanë munguar sinjalizimet se ku duhet të drejtohen mysafirët në raste të fatkeqësisë.

U prezantuan edhe video-incizime nga nata e tragjedisë, ku shihen fishekzjarrët që shkaktuan zjarrin. Avokati Petre Shilegov konsideron se këto materiale nuk dëshmojnë asgjë.

“Dëshironte që përmes incizimeve të Facebook, që grupi i shfrytëzon për reklama në rrjetet sociale të bindë publikun dhe neve që ekzistojnë apo jo kushte minimale teknike të diskotekës. Mendoj se është joserioze krahasuar me seriozitetin e lëndës për të cilin jemi në gjykim më shumë se gjysmë viti. Për fat të keq Prokuroria shkakton konfuzion në gjykim, akoma nuk ka guxim të definojnë lëndën, ashtu siç është fatkeqësi e shkaktuar nga përdorimi i paautorizuar, joligjor dhe joadekuat i mjeteve piroteknike në ambient të mbyllur.”, - theksoi avokati, Petre Shilegov.

Aleksandar Naumov, babai i Nadica Naumovës që humbi jetën në tragjedinë, reagoi ashpër ndaj sjelljes në sallën e gjyqit, pasi një prind që kishte reaguar ndaj deklaratës së një avokati u përjashtua nga seanca, ndërsa, siç tha ai, avokatët e të akuzuarve nuk u sanksionuan edhe pse ndërhynin dhe flisnin pa lejen e gjyqtares.

“Dhe tani po shohim, e po e shihni edhe ju, se po bërtasin nga të gjitha anët, kush nga e majta e kush nga e djathta, vetëm që të shpërqendrohet vëmendja nga Prokuroria dhe që ne të ngremë panik e tension, që përsëri të na nxjerrin jashtë. Ndërsa ata nuk i nxjerrin fare dhe as nuk i dënojnë.”, - u shpreh familjari i viktimës, Aleksandar Naumov.

Për tragjedinë në diskotekën “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan të pafajshëm. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)