Maqedoni

Provimi i jurisprudencës, Mickoski: U shkelën ligje dhe Kushtetuta

20.05.2026 15:53

Qeveria premton zgjidhje për kërkesat e studentëve shqiptarë sa i takon provimit të jurisprudencës...

Qeveria premton zgjidhje për kërkesat e studentëve shqiptarë sa i takon provimit të jurisprudencës. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se po punohet në gjetjen e zgjidhjes dhe vendimin do ta dërgojë në Komisionin e Venedikut. Mickoski, edhe pse respekton të drejtën e studentëve shqiptarë për të protestuar, kritikoi ata se shkelën ligjin për flamurin, himnin shtetëror dhe Kushtetutën. Kryeministri ndëshkoi edhe sjelljen e BDI-së.
 
“Nuk do t’i komentoj as ndërhyrjet e jashtme në punët e brendshme të Maqedonisë të disa faktorëve të jashtëm. Këtë të tërën do ta lemë si folklor. Atë që ne si qeveri po e bëjmë për momentin, është të sigurojmë zgjidhje afatgjate me të cilën këtë, por edhe shumë probleme të tjera të cilat i trashëguam nga e kaluara, do të zgjidhen. Gjithashtu ndëshkoj sjelljen e BDI-së, pasi që ata kishin mundësinë që njëzet vite të zgjidhin këto probleme, për fat të keq nuk bënë asgjë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Kasami: Në qershor do të nisë procedura për zgjidhje
 
Edhe nga VLEN-i thonë se po i qasen problemit në rrënjë. Pohojnë se të gjitha provimet profesionale do të jepen në gjuhën shqipe. 
 
“Brenda qershorit do të nisë procedura për plotësim të ligjit të jurisprudencës dhe që besojmë në kuadër të asaj që ka thënë edhe zotëri Mexhiti brenda tre muajve do të kemi një rezultat përfundimtar dhe do të kemi një zgjidhje ligjore.”, - theksoi kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami. 
 
Kasami: Nuk kemi kërkuar tërheqjen e Meidanit
 
Ndërkaq, sa i përket zërave për largimin nga detyra të ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani, Kasami mohon që VLEN-i apo Qeveria të kenë kërkuar tërheqjen e tij. Kasami thotë se ky është vendim i shtetit shqiptar.
 
“VLEN-i, por edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut në asnjë moment nuk kanë pasur ndonjë kërkesë ndaj shtetit shqiptar për të tërhequr ambasadorin. Çështja e ambasadorit edhe njëherë është qasje e tij. Ne do të kishim dashur që ai më shumë të përfaqësojë qytetarët, apo të mbrojë të drejtat e qytetarëve shqiptar në Maqedoni të Veriut më shumë se sa disa grupacione politike, që fatkeqësisht po shihet. Megjithatë është punë dhe angazhim, të cilin duhet ta vlerësojë shteti shqiptar.”, - u shpreh kryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.
 
Qëndrimi i Qeverisë për zgjidhje ligjore të jurisprudencës ndeshet me vlerësimet e ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, i cili kundërshton që provimi të jepet në gjuhën shqipe. Kasami thotë se Filkovi me politikat e tilla bën vetëm promovimin e vetes, në vend që të përfaqësojë të gjithë qytetarët. Ai porositi Filkovin që të respektojë ligjin të cilin do ta miratojë Parlamenti.
 
MERAL ISMAILI