Shkollat e Tetovës prezantojnë drejtimet, alarm për rënien e numrit të nxënësve në Malësi

20.05.2026 16:20

Shkollat e mesme në Tetovë, në sheshin “Iliria”...

Shkollat e mesme në Tetovë, në sheshin “Iliria”, promovuan drejtimet e tyre shkollore para semimaturantëve, të cilët u njohën nga afër me programet arsimore dhe ofertat për regjistrim.

Autoritetet komunale thonë se kushtet në shkollat e mesme janë përmirësuar dhe se drejtimet janë përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

“Të gjitha këto shkolla kanë drejtime të përshtatshme për tregun e punës dhe të kërkuara nga nxënësit tanë. Shkollat ofertën e tyre e prezantojnë para nxënësve. Përndryshe, këtë vit kemi një numër të përafërt të nxënësve me vitin paraprak. Deri më tani, sipas të dhënave nga shkollat fillore në Komunën e Tetovës janë 1.890 nxënës që pritet të regjistrohen në 49 paralele në gjuhën shqipe, 9 në gjuhën maqedonase dhe 1 në gjuhën turke.”, - u shpreh kreu i Tetovës, Bilall Kasami.

Megjithatë, përderisa flitet për kushte më të mira dhe investime në arsim, realiteti në disa shkolla fillore mbetet shqetësues.

Nxënësit e shkollës fillore “Rilindja” në fshatin Sellcë vazhdojnë të zhvillojnë mësimin në kushte të vështira, ndërsa objekti i ri ende nuk ka përfunduar.

Për këtë çështje u pyet edhe zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, i cili tha se institucionet presin që me ribalancin e buxhetit të sigurohen mjetet për përfundimin e projektit.

“Mbetet të shihet me ribalancin e buxhetit nëse do të sigurohen mjetet, por ne jemi optimistë se kjo do të realizohet. Si ministri kemi kryer procedurat tona dhe tani mbetet të përfundojë procesi i ribalancit të buxhetit.”, - theksoi zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani.

Ndërkohë, problem mbetet edhe rënia e numrit të nxënësve në zonat malore të Tetovës. Në shkollën fillore “Besa” në fshatrat Bozovcë dhe Veshallë, edhe vitin e kaluar nuk pati asnjë nxënës të regjistruar në klasën e parë, ndërsa e njëjta situatë është edhe  këtë vit.

Banorët dhe njohësit e arsimit paralajmërojnë se, nëse trendi vazhdon, rreziku i mbylljes do të përfshijë edhe shumë shkolla të tjera në Malësinë e Tetovës. (Visar Sadiku, TVM2)