Plani për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, për RMV-në KE-ja miraton edhe 65.7 milionë euro

20.05.2026 19:35

Komisioni Evropian ka miratuar këstin e ri prej 65.7 milionë eurosh për Maqedoninë së Veriut...

Komisioni Evropian ka miratuar këstin e ri prej 65.7 milionë eurosh për Maqedoninë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje.

Me lëshimin e sotëm, sipas pakove përkatëse, për Maqedoninë e Veriut shuma arrin në 142.1 milonë euro, për Shqipërinë 212.8 milionë euro dhe për Malin e Zi 89.3 milionë euro, njoftojnë nga Komisioni Evropian.

“Në Maqedoninë e Veriut, reformat e vlerësuara përfshijnë masa për përmirësimin e financimit të arsimit fillor dhe të mesëm, si dhe masa për zgjerimin e qasjes në infrastrukturën digjitale dhe pajisjet IT në shkolla. Nga 65.7 milionë eurot e shpërndara, 30.6 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa fondet e mbetura do të vihen në dispozicion për projekte investuese përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.”, - shkruan në faqen zyrtare të KE-së.

Sipas dikasterit udhëheqës së eurointegrimeve, kjo mbështetje përfaqëson një konfirmim të fuqishëm se shteti po avancon me sukses reformat dhe po realizon prioritetet kyçe në fushën e digjitalizimit, arsimit dhe zhvillimit institucional në përputhje me standardet evropiane.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e ka mirëpritur vendimin e Komisionit Evropian, duke theksuar se ky është një sinjal i rëndësishëm besimi dhe vlerësimi për agjendën reformuese të vendit.

“Maqedonia e Veriut ka marrë pjesën më të madhe, gjithsej 65.7 milionë euro, më shumë se Shqipëria (49 milionë) dhe Mali i Zi (44.2 milionë). Vendi ynë konfirmohet si lidere në rajon për zbatimin e Agjendës Reformuese, që është kusht për lirimin e fondeve nga BE-ja. Përtej pluhurit propagandues, punët e mira vazhdojnë.”, - shkruan Bekim Sali.

Më tej Sali thotë se integrimi evropian nuk është më vetëm aspiratë politike, por është çështje që po shndërrohet në investime konkrete, mbështetje dhe mundësi reale për qytetarët tanë.

Ministria për Çështje Evropiane siguron se do të mbetet plotësisht e përkushtuar në koordinimin efektiv të proceseve reformuese dhe në sigurimin që mbështetja evropiane të përkthehet drejtpërdrejt në standard më të mirë jetese dhe më shumë mundësi për qytetarët. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)