Sfidat drejt Brukselit mes zhgënjimit dhe ndryshimeve kushtetuese
Rruga evropiane e vendit nuk varet vetëm nga Brukseli...

Rruga evropiane e vendit nuk varet vetëm nga Brukseli, por mbi të gjitha nga vetë qytetarët dhe përkushtimi i tyre ndaj vlerave evropiane, tha kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. Ai paralajmëroi gjithashtu se pa ndryshime konkrete dhe angazhim më të madh, të rinjtë do të vazhdojnë të largohen nga vendi.
Në fjalimin e tij, Gashi rikujtoi se shteti ka bërë kompromise të mëdha në rrugën drejt integrimit evropian, por tha se këto hapa nuk janë vlerësuar sa duhet.

“Në vitin 2018 e ndryshuam emrin e shtetit, sot quhemi Republika e Maqedonisë së Veriut. Fatkeqësisht, kornizat kryesore evropiane dhe Brukseli si sinonim për Evropën, nuk arritën ta vlerësojnë këtë, ta tregojnë këtë si vlerë të madhe. Sot kemi vende që janë para nesh - Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa ne ende presim të hapim kapitujt.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Kur ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ishte në Shkup, na porositi se duhet të tregojmë liderizëm dhe të ndryshojmë emrin kushtetues, e më pas Bashkimi do të na hapë derën.
Emri u ndryshua, por dera jo vetëm që nuk u hap, por na u përplas para hundës, dhe atë nga ana e Francës, thotë nënkryetari i Kuvendit dhe kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Antonio Milloshoski.
Ai shton se për çdo lëshim të radhës, fillimisht duhet të sigurohemi nëse ai do të na hapë rrugën drejt qëllimit.

“Ky ishte një dëshpërim shumë i madh edhe për ata që besonin se me ndryshimin e emrit do të hapet dera e BE-së. Unë nuk besoja në këtë, por kjo nuk e përjashton as dëshpërimin tim. Është legjitime, shqetësimi ynë është që të kemi një ofertë kredibile nga BE-ja, e cila do të jetë e realizueshme.”, - theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski.
Tani kemi një dokument konkret mbi tryezë, të mos humbim kohë, është mesazhi i liderit të LSDM-së dhe kryetarit të Këshillit Nacional për Eurointegrime, Venko Filipçe. Ai thotë se nëse jemi realë e racionalë dhe vërtet duam të integrohemi në Evropë, rruga është e qartë.
“Hapi i parë që duhet bërë është të bëhen ndryshimet kushtetuese. Dhe të ndodhë konferenca e radhës ndërqeveritare. Kjo është mbi tryezë. Nga çfarë po frikësohemi? Gjuha maqedonase, e pranuar në Evropë. Kemi nënshkruar marrëveshje në gjuhën maqedonase. Identiteti i konfirmuar. Bëjmë një dallim të qartë me pakicën bullgare.”, - u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Është e nevojshme të bashkoheni dhe të arrini kompromis në mënyrë që të ndërmerren hapat e vështirë që ju presin, vlerëson ambasadorja gjermane, Petra Dreksler.
“Duhet ta tejkalojmë idenë se ky vend vazhdimisht humbet. Ky është një partneritet me Bashkimin Evropian, i cili gjithmonë është real dhe është krijuar e zhvilluar me dekada.”, - theksoi ambasadorja gjermane, Petra Dreksler.
Konferenca u zhvillua në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës. (Ersan Pajaziti, TVM2)
