Botë

Zgjedhjet në Kosovë, nis procesi i votimit me postë

21.05.2026 11:11

Procesi i votimit me postë për të gjithë votuesit jashtë Kosovës të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ka filluar sot....

Procesi i votimit me postë për të gjithë votuesit jashtë Kosovës të cilët janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit ka filluar sot. Sipas KQZ-së, kjo është një periudhë 17 ditore, e cila do të vlejë për 105 mijë shtetas të Kosovës, të cilët kanë arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës dhe që kanë përzgjedhur votimin përmes postës.

Në ato shtete ku KQZ-ja nuk ka hapur kuti postare, votuesi duhet të shënojë adresën e kutisë postare për votim përmes postës në shtetin më të afërt. Të gjitha detajet për procedurën e votimit, votuesit do t’i gjejnë në udhëzuesin për votim, i cili është i vendosur në pako. Në çdo dërgesë postare është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos së tyre me fletëvotim, thonë nga KQZ.
 
KQZ-ja fton për vëmendje votuesit e regjistruar se çdo dërgesë postare duhet të jetë individuale. Për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, u pranuan 142 mijë e 803 kërkesa për regjistrim, u aprovuan 131 mijë e 800, kurse 10 mijë e 907 u refuzuan, 96 u anuluan. Slogani i zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është “Kosova Voton”.