Maqedoni
KE: Këst prej 65.7 milionë eurosh për RMV-në
21.05.2026 11:40
Komisioni Evropian ka miratuar këstin prej 65.7 milionë eurosh për RMV-në...

Komisioni Evropian ka miratuar këstin prej 65.7 milionë eurosh për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor. Sipas zëvendëskryeministrit Bekim Sali, kjo mbështetje është konfirmim se vendi po zbaton me sukses reformat dhe po realizon prioritetet kryesore në përputhje me standardet evropiane. Këto fonde, sipas Salit, janë një nxitje shtesë për të vazhduar reformat, për të forcuar institucionet dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane të vendit.
“Republika e Maqedonisë së Veriut siguroi 65.7 milionë euro në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe mekanizmat për reforma dhe rritje, si rezultat i reformave të realizuara dhe progresit konkret që është arritur në muajt e fundit. Ky sukses nuk erdhi rastësisht. Ky sukses është rezultat i punës së koordinuar të institucioneve, i përkushtimit të administratës, i përgjegjësisë politike dhe i vendosmërisë që reformat të mos mbeten vetëm në letër, por të prodhojnë rezultate konkrete për qytetarët. Sot mund të themi me përgjegjësi të plotë se po hyjmë në një fazë të re të funksionimit institucional, ku rezultatet maten me realizim konkret, me efikasitet dhe me kapacitet për të përmbushur obligimet që i marrim përsipër. Në periudhën e tretë raportuese, shteti raportoi 21 hapa reformues të realizuara. Nga këto, 16 hapa janë vlerësuar pozitivisht nga ana e Komisionit Evropian, ndërsa ajo që është veçanërisht domethënëse, është fakti se tre hapa janë realizuar para afatit kohor. Kjo tregon qartë se institucionet tona nuk punojnë vetëm për të arritur afate minimale, por janë të angazhuara që reformat të realizohen me kohë, me seriozitet dhe me vizion afatgjatë. Në këtë cikël monitorimi janë ndjekur gjithsej 24 hapa reformues. Nga 29 hapa me afat deri në fund të vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë realizuar, ndërsa institucionet vazhdojnë intensivisht punën edhe për hapat që ndodhen në “grace” periudhë deri në qershor dhe dhjetor të vitit 2026. Ajo që është e rëndësishme sot, është se shteti ynë po pozicionohet ndër vendet me performancën më të mirë në rajon, sa i përket realizimit të agjendës reformuese.”, - u shpreh zëvendëskryeministri, Bekim Sali.
