Botë
ShBA-ja padit ish-presidentin kubanez, Kina dhe Kuba: ShBA-ja nuk ka legjitimitet
21.05.2026 13:45
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur padi kundër ish-presidentit 94-vjeçar të Kubës...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ngritur padi kundër ish-presidentit 94-vjeçar të Kubës, Raul Kastro, për incidentin e vitit 1996, kur aviacioni kubanez rrëzoi dy avionë të vegjël civilë amerikanë. Kastro dhe pesë persona të tjerë akuzohen për vrasje dhe për komplot ndaj qytetarëve amerikanë. Rasti bazohet në një procedurë paraprake të hapur në vitin 2003. Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se CIA është e pranishme në Kubë dhe se sekretari i shtetit, Marko Rubio, ka qenë i përfshirë në bisedime me udhëheqjen e ishullit.
“Është një shtet që ka dështuar. Po e shihni vetë se po shkon drejt shpërbërjes. Nuk kanë naftë, nuk kanë para. Por, ne jemi aty për të ndihmuar, për t’i ndihmuar familjet dhe njerëzit. Dhe shumë prej tyre ndihen të afërt me mua, sepse kam pasur marrëdhënie shumë të mira me komunitetin kubano-amerikan. Ata më mbështetën me rreth 94 për qind.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Qeveria kubaneze dhe banorët e Havana e dënojnë aktakuzën kundër Kastros. Ata thonë se ShBA-ja nuk ka legjitimitet dhe juridiksion për ta ndërmarrë këtë veprim.
“Aktakuza nuk ka asnjë bazë ligjore, politike apo morale dhe duhet parë si pjesë e përshkallëzimit në rritje të agresionit që kemi parë gjatë këtij viti nga Shtetet e Bashkuara kundër Kubës. Ky nuk është një incident i izoluar.”, - theksoi zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kubës, Karlos Fernandez de Kosio.
“Sikur të ishte e kundërta, nëse Kuba do t’i dërgonte ata avionë në ShBA dhe ne të fluturonim drejt Majamit, çfarë do të ndodhte? Do të na rrëzonin si pëllumba balte me raketat “Patriot”.”, - u shpreh nëpunësi shtetëror, Rolando Mesa.
“Të dyja qeveritë duhet të ulen dhe të arrijnë një marrëveshje. Nuk do të doja një ndërhyrje ushtarake në Kubë, kjo nuk do të ishte ide e mirë.”, - deklaroi amvisja, Debrezei Barreras.
“Nuk mendoj se ka nevojë që dikush nga jashtë të vijë dhe të zgjidhë problemet që vetë kubanezët, së bashku me qeverinë e tyre, duhet të jenë në gjendje t’i zgjidhin. Është kaq e thjeshtë.”, - theksoi arkitekti, Rodni Amaguer.
Kina e mbështet Kubën dhe kundërshton ndërhyrjen e jashtme.
“Pala amerikane duhet të ndalojë përdorimin e sanksioneve dhe presionit gjyqësor kundër Kubës, si dhe të ndalojë kërcënimet me forcë në çdo hap.”, - u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Guo Jiakun.
Ndërkohë, Uashingtoni ka shtuar presionin ndaj Havanës. Vendi është goditur nga ndërprerje të energjisë elektrike, pasi ShBA-ja e ka bllokuar ishullin me kërcënime për sanksione ndaj atyre që e furnizojnë me energji.
FARIJE DAUTI BAKIU
