Botë
Trampi kërcënon Iranin: Nëse nuk e pranoni marrëveshjen, fillojmë sulmet
21.05.2026 14:00
Nëse Teharani nuk e pranon marrëveshjen, do të sulmojmë fuqishëm, paralajmëron Tramp...

Nëse Teharani nuk e pranon marrëveshjen, do të sulmojmë fuqishëm, paralajmëron presidenti amerikan Donald Tramp, megjithëse pohon se negociatat me Iranin janë në fazën përfundimtare. Ndërkohë Irani akuzon Trampin se nxit të luftëra dhe kërcënon me sulme të gjithë Lindjes së Mesme. Ndërsa Izraeli, aleati më i fuqishëm i ShBA-së, i shikon me skepticizëm negociatat dhe dëshiron vazhdimin e konfliktit. Trampi dhe Netanjahu kanë diskutuar në telefon për strategjinë dhe një marrëveshje të mundshme paqeje.
“Është mirë. Do të bëjë atë që dua unë të bëjë. Për mua është një njeri i shkëlqyer. Mos harroni, ai ishte kryeministër në kohë lufte. Dhe sipas meje, nuk trajtohet mirë në Izrael. Aktualisht jam 99 për qind në anën e Izraelit. Mund të kandidoj për kryeministër.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ushtria amerikane ka kapur dhe devijuar një cisternë nafte me flamur iranian në Gjirin e Omanit. Dyshohet se anija përpiqej të thyente bllokadën amerikane. Ndërkohë, Teherani ka riaktivizuar tregtimin në bursë pas muajsh ndërprerjeje.
“Disa kompani kanë pësuar dëme ose sfida në furnizim dhe nuk do të hapen ose nuk do të jenë të disponueshme për tregtim derisa të zgjidhen këto probleme. Një grup tjetër përfshin kompani ku kostot e prodhimit janë rritur më shpejt se të ardhurat, gjë që do të sillte rënie të vlerës së tyre.”, - theksoi analisti ekonomik, Ehsan Zakerinia.
“Për fat, performanca e sotme e tregut, dita e parë e tregtimit pas luftës, i tejkaloi pritshmëritë e mia. Edhe në orën e parë, ekuilibri mes blerësve dhe shitësve ishte pothuajse i barabartë.”, - u shpreh drejtori ekzekutiv i një firme investimesh, Mohamad Mohamadi.
Ndërsa Irani ndodhet mes luftës dhe paqes, Gaza vazhdon të mbetet shqetësim për komunitetin ndërkombëtar. Brukseli dhe Londra kanë dënuar trajtimin e aktivistëve të ndaluar nga flotila me ndihma humanitare. Aktualisht, 430 persona ndodhen në paraburgim në Izrael, ndërsa organizatat akuzojnë Tel Avivin për përdorim të tepruar force; autoritetet izraelite i mohojnë akuzat.
“Ne kemi dëgjuar shumë histori për dhunë. Dimë për të paktën dy pjesëmarrës që janë shtruar në spital. Ata u desh të dërgoheshin për trajtim mjekësor. Të dy janë qëlluar me plumba gome pa arsye, pa justifikim.”, - deklaroi avokatja e Grupit Ligjor Adalah, Suhad Bishara.
Administrata në Uashington ka kërcënuar se do t’ua heqë vizat delegacionit palestinez në OKB, nëse ambasadori Rijad Mansour nuk tërhiqet nga kandidatura për nënkryetar të Asamblesë së Përgjithshme. Zgjedhjet për presidentin dhe 16 nënkryetarët e Asamblesë së Përgjithshme do të mbahen më 2 qershor.
FARIJE DAUTI BAKIU
