Komisioni për Financa dhe Buxhet përplasje për kredinë prej 260 milionë eurosh
Qeveria kërkon të sigurojë kredi prej 260 milionë eurosh...

Qeveria kërkon të sigurojë kredi prej 260 milionë eurosh për nevoja buxhetore dhe projekte kapitale, ndërsa opozita akuzon për “borxh kriminal” dhe braktis debatin në Kuvend.
Përplasjet mes pushtetit dhe LSDM-së u zhvilluan sot në Komisionin për Financim dhe Buxhet, ku u shqyrtua propozim-ligji për huamarrjen nga institucione financiare ndërkombëtare.
Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski, në arsyetimin e tij theksoi se bëhet fjalë për huamarrje nga kreditor ndërkombëtar, e paraparë në përputhje me Buxhetin për vitin 2026.
“Në përputhje me Strategjinë për borxhin publik dhe me këtë huamarrje, ne vazhdojmë drejt uljes së deficitit buxhetor dhe natyrisht uljes së borxhit publik si përqindje e produktit të brendshëm bruto. U zgjodh oferta më e lirë dhe më e favorshme në treg për momentin, e cila, për dallim nga disa vende të caktuara të rajonit, de fakto tregoi se kushtet me të cilat merret kjo kredi – për të cilën momentalisht vendosëm të jetë në vlerë prej 260 milionë eurosh janë vërtet me kushtet më të favorshme në treg.”, - deklaroi zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski.
LSDM ndërkohë ka braktisur punën në këtë komision. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në borxhin brutal të shtetit për tenderë kriminalë.
“Grupi ynë parlamentar nuk do të marrë pjesë në këtë borxh të përditshëm brutal të shtetit me shuma enorme, qindra miliona euro, miliarda euro para, të cilat nuk shkojnë askund tjetër, përveçse në mënyrë të kontrolluar rreptësisht te firmat partiake përmes procedurave të tenderimit. Ne nuk do të marrim pjesë në debatin komisionar për këtë temë dhe tërhiqemi plotësisht prej tij.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Ai shtoi se LSDM-ja do të dorëzojë interpelancë për kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, sepse ka caktuar mbledhje të Komisionit për Financim dhe Buxhet, edhe pse kryetare e komisionit është Sanja Lukarevska. VMRO-DPMNE-ja e vlerësoi tërheqjen e LSDM-së nga Komisioni si mungesë argumentesh.
“Arsyeja është e thjeshtë – janë të vetëdijshëm se nuk kanë argumente me të cilat do t’i mbështesnin pretendimet e tyre. Me këto mjete do të financohen: paga më të larta, pensione më të larta, ndërtimi i tre autostradave, hekurudhë e shpejtë dhe rikonstruktimi i linjave ekzistuese hekurudhore, spitale dhe shkolla të reja.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.
Stojanovski theksoi gjithashtu se një pjesë e mjeteve janë të destinuara për shlyerjen e euroobligacionit të marrë në vitin 2020. Pasi të kalojë filtrin e komisionit, ky propozim pritet të kalopjë në seancë plenare. (Ersan Pajaziti, TVM2)
