Jurisprudenca në shqip, Sali: Për një javë, vendimi për zgjidhje

21.05.2026 14:50

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali...

VLEN-i optimist, se pas një jave do ta kenë të finalizuar vendimin zgjidhës të çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, thotë se po punohet që zgjidhja të jetë gjithëpërfshirëse.

“Jemi në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë. Ndoshta, edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojmë në mënyrën e njëjtë, për arsye se që nga fillimi ka pasur vullnet të mirë politik që të zgjidhet ky problem. Por, nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

Propozim-ligji për përfaqësim institucional, VLEN-i fton deputetët në mbështetje

Ndërkaq propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i ndodhur në procedurë parlamentare, mund të bllokohet nga opozita. Sali thotë se kjo është e drejtë e opozitës, por fton për korrigjime me amendamente.

“Ne propozojmë një ligj konkret që besojmë se do të jetë ligji më i mirë për rrethanat aktuale, e që do t’i mbrojë interesat etnike edhe të shqiptarëve, por edhe etnive të tjera, për arsye se nuk është i fokusuar vetëm në një etni. Zotëri Sela si do të sillet, është e drejtë e tij politike, por edhe përgjegjësia e tyre politike nëse këtij propozim-ligji nuk i propozojnë amendamente me të cilin do ta kishin përmirësuar sipas bindjeve të tyre apo sipas qasjes së tyre drejt ligjit. Kështu që mbetet obligim i deputetëve të japin amendamente dhe sipas asaj të hapet debat publik për avancimin e ligjit.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali.

Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami, më optimist se Badinteri do të jetë i siguruar.

“Po, patjetër që do të sigurojmë Badinter, deri më tani kemi siguruar Badinter. Unë kërkoj përkrahje nga të gjithë deputetët që të miratojmë ligjin, që të vëmë në funksion përfaqësimin adekuat edhe bazuar në ligj, që pastaj kurdo dhe kushdo që të vlerësojë që ligji ka nevojë për përmirësim do ta ketë atë mundësi.”, - u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami.

Propozim-ligji për përfaqësim nuk parashikon dënime në rast të shkeljeve, por VLEN-i pretendon që trupi koordinativ, i cili do të ndjekë zbatimin e ligjit në periudha njëvjeçare do të raportojë shkeljet.

Ky trup përfshin më shumë institucione që nuk janë të lidhura me politikën ditore dhe kontributi i tyre do të bëj që zbatimi të jetë funksional dhe mos varet vetëm nga politikat e një garniture politike. (Meral Ismaili, TVM2)